Akademia e Shkencave, takim ndërkombëtar për gjeofizikën dhe sizmologjinë

Akademia e Shkencave, takim ndërkombëtar për gjeofizikën dhe sizmologjinë

Ndryshimet që ndodhën së fundi në Akademinë e Shkencave, pas ardhjes në krye të saj të zotit Gjinushi, kanë nisur të japin shenjat e para të rivitalizimit të punës kërkimore-shkencore në vendin tonë. Zbatimi i reformës së votuar vitin që shkoi, i hapi rrugë ASH-së që të luajë një rol aktiv në kërkimin shkencor dhe të mos jetë thjesht një institucion honorifik i ngurtë, siç ishte deri para disa kohësh.

Njësia e Kërkim-Studimit për Gjeofizikën dhe Sizmologjinë, që drejtohet nga profesori i njohur Shyqyri Aliaj, ka nisur nga puna në fund të vitit që shkoi dhe është një prej institucioneve që do të ngrihen në vijim. Kjo njësi organizoi para disa ditësh një takim konstultativ ndërkombëtar në Akademinë e Shkencave për problemet aktuale të sizmikës dhe mbrojtjen nga tërmetet.

Në këtë takim morën pjesë profesorë dhe dijetarë të këtyre fushave nga Italia, Greqia, Mali i Zi Kosova, nga Universiteti Politeknik, (rektori dhe zv/rektori i tij), nga fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit (dekani), nga fakulteti Gjeologji-Miniera, Instituti IGJEUM dhe Artan Shkreli, zv/ministri i Infrastrukturës dhe Energjitikës si dhe nga Shërbimi gjeologjik Shqiptar.

Tërmetet që ranë vitin e shkuar dhe sidomos ai i 26 nëntorit, krijuan një pështjellim të madh në opinion dhe dëmeve të mëdha dhe tronditjes që solli ajo ngjarje tragjike, iu shtua edhe amatorizmi, kakofonia dhe një ligjërim naiv e jo profesional i kujtdo që merrte fjalën në publik, duke treguar me këtë rast se shkatërrimi që i kishim bërë institucioneve të dijes dhe mënjanimi i dijetarëve të këtyre fushave nga dhënia e ekspertizave shkencore, e bënte edhe më të rëndë peshën e dëmeve që shkaktoi ajo fatkeqësi. Ndërsa, kur në ekranet televizive u shfaqën për herë të parë profesionistët, si bie fjala prof. Shyqyri Aliaj, prof. Rrapo Ormëni apo Luljeta Bozo, të gjithë panë një ligjërim ndryshe. Atëherë u kujtuam se çfarë dëmi kemi bërë duke shkatërruar institucionet e dijes dhe të kërkimit me marrëzinë tonë në këta vjet. Ndaj sfida që ka ndërmarrë Akademia e Shkencave për të ringjallur institucionet kërkimore shkencore të vendit dhe për t’u dhënë hapësirën e duhur dijetarëve dhe kërkuesve shqiptarë, do të jetë e gjatë dhe e vështirë. Megjithatë, ajo ka nisur.

Në këtë takim, prof. Shyqyri Aliaj së bashku me kolegët që e përbëjnë atë njësi, si Markel Baballëku, specialist në fushën e inxhinierisë së tërmeteve dhe Skënder Allkja, drejtor teknik i kompanisë «ALTEA GEOSTADIS 2020» (kompani gjeoteknike), treguan se kanë nisur nga puna

për përcaktimin e masave dhe hartimin e akteve që duhen ndërmarrë e miratuar për futjen e eurokodeve, për sigurimin e standardeve në projektimin e strukturave ndërtimore të qëndrueshme ndaj tërmeteve, sipas klasifikimit të objekteve në fushën e ndërtimit.

Krijimi i kësaj njësie prej Akdemisë ka edhe një vlerë tjetër sepse ajo rivlerëson dhe riaktualizon ndihmesën e vyer të shkencëtarëve shqiptarë në këtë fushë, kryer me profesionalizëm dhe në shumë e shumë e vite. Një tjetër objektiv i njësisë do të jetë që në fazën e parë të bëjë përgjithësimin dhe evidentimin e akteve dhe të rezultateve të studimit të kryer nga prof. Shyqyri Aliaj, Eduard Sulstarova, Siasi Koçiu dhe Betim Muço brenda një periudhe dy ose tri mujore dhe t’i bëjë ato detyruese duke propozuar për këtë pranë Këshillit të Ministrave dhe institucioneve përkatëse masat ligjore për zbatimin e plotë të eurokodeve në fushën e ndërtimit në Shqipëri. Kohëzgjatja e veprimtarisë së kësaj njësie pranë Akademisë do të jetë 6 muaj me të drejtë ripërsëritjeje edhe 6 muaj të tjerë. Ndërsa në planin afatgjatë, këto njësi mund të shndërrohen më pas në qendra kërkimore shkencore të akredituara pranë Akademisë në rrjetin e të tjera qendrave që do të krijohen në vijim.

Siç u përmend më sipër, në takimin e organizuar në Akademinë e Shkencave u vu theksi fillimisht në futjen e eurokodeve si detyrim ligjor, megjithëse deri tani edhe janë përdorur nga projektues të veprave madhore si TAP-i, fjala vjen, por nuk kanë qenë detyruese. Së dyti, që ato të bëhen detyruese dhe të futen për zbatim, kanë nevojë që të përgatiten mbi kritere të reja dhe studime bashkëkohore dhe të mbështeten mbi studimet e kryera tashmë prej Betim Muços, Eduard Sulstarovës dhe Siasi Koçiut. Ndërkaq, këto studime kanë nevojë edhe të përditësohen me të dhënat e marra nga tërmetet e fundit që ranë në Shqipëri. Një anë tjetër që u diskutua në këtë takim konsultativ ishte edhe rinovimi i normave teknike për të garantuar ndërtime të standardeve antisizmike në të ardhmen dhe riforcimin e këtyre ekzistuese.

Gjithë kjo punë që ka nisur njësia kërkimore shkencore e drejtuar prej prof. Shyqyri Aliajt dhe në bashkërendim me qendrat simotra ballkanike dhe europiane, do të finalizohet me një konferencë të përmasave europiane në shtator. Kjo konferencë do të përgatitet në bashkëpunim me Universitetin Politeknik, me institutet kërkimore shkencore, me shoqatën e gjeologëve shqiptarë dhe homologët në rajon e më gjerë. Në takimin konsultativ, i ftuari nga Italia dr. Massimo Chiappini mbështeti idenë që u hodh në këtë takim që të nisë një projekt europian për studimin në fushë të sizmikës dhe të mbrojtjes nga tërmetet.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Tir: 12/01/2020 18:57

    Lajmi me i bukur qe po degjoj. Bravo Ilir Yzeiri qe i ke kushtuar vemendje e kohe kesaj ceshtje. Prof Shyqyri Aliaj &Inxh Markel Baballeku jane figurat e spikatura te sizmologjise , e inxh ndertimit,shyqyr qe i kemi! Shyqyri Aliaj eshte vertet profesori i sizmologjise qe denjesisht do vere ne zbatim studimet e tija,te kolegeve te tij si Sulstarova, Kociu e Muco. Boll me Llambro Dunin etj qe vetem shkaterrim i bene Institutit te Sizmologjise.suksese njesise se kerkimit te krijuar tashme!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Durrës/ Të shtënat me armë dje në lagjen 15, arrestohen dy persona! Në kërkim një tjetër

Durrës/ Të shtënat me armë dje në lagjen 15, arrestohen dy persona! Në kërkim një tjetër