Akademia, Rama: Matrapazë
e analfabetë kërcënojnë gjuhën

Akademia, Rama: Matrapazë<br />e analfabetë kërcënojnë gjuhën<br /><br>
Kryeministri Edi Rama ka pritur në një takim grupin reformator të Akademisë së Shkencave, ku shpjegoi arsyet që u ndërpreu financimet, ndërsa po dëgjon edhe pretendimet e anëtarëve.

“Humbën më shumë se një vit në një inerci të kalbëzimit të vazhdueshëm të një institucioni, që dikur u krijua si xhevahiri rrezatues dhe sot është burim pezmatizimi, për të mos thënë brengë për ata që e themeluan. Kjo situatë na ka shtyrë që të çojmë përpara idenë e refuzimit për ta financuar më tutje këtë institucion me paratë e taksapaguesve. 

Akademia e Shkencave është kufoma e vetvetes, nuk reflekton vizionin e etërve themelues. Kam përballë studiuesin Luan Omari, akademia nuk ka arritur të reflektojë transformimin epokal të dijes shqiptare. Kam pasur një kërkesë për t’iu dëgjuar, me gatishmërinë për t’u dëgjuar, një përpjekje ‘in-extremis’ por unë me ministren jemi këtu për t’iu dëgjuar” deklaroi ai. 

Më tej, kryeministri Rama foli me një gjuhë tepër të ashpër përballë akademikëve, teksa tha se ky institucion është kthyer në funeral, shtëpi varrimi, ku ka lloj-lloj matrapazësh që kërcënojnë gjuhën shqipe. Rama deklaroi se qeveria nuk mund të mbështesë më këtë akademi, ndja dhe do të mbyllet si shërbim social, duke shtuar se do ketë një shkurtim drastik të fondeve për këtë 'qenieje' që ka humbur kuptimin dhe përmbajtjen.

"Që në emër ka diçka që nuk shkon. Na duhet një akademi e shkencave e riparë apo një akademi shqiptare, e cila të ketë synimin të mund të përmbajë brenda vetes të gjithë trurin e shkencës dhe të dijes së kombit tonë, jo thjesht shtetit tonë. Që këtu duhet të nisë rrugëtimi për ta rithemeluar këtë institucion. Është shumë e vërtetë, por prapë ha diskutim që goditja që iu bë në të shkuarën rrjetit të instituteve, mbyllja e shumë prej tyre ka sjellë pasojë. Por sa do ishte në gjendje shteti shqiptar t’i mbante ato institute? Kjo mbetet e diskutueshme, nuk kemi përgjigje ezauruese pozitive. Ne flasim për shkencë, po nëse s’ka një bibliotekë shkencore që mund ta mbajë këtë emër, për çfarë diskutohet.

Çfarë duam ne nga kjo akademi dhe çfarë i shërben sot vendit të ketë si rezultat i rithemelim të këtij institucioni? Akademia si e tillë nuk mund të jetë ajo që bën shkencën, por është kuvendi ai që bën shkencën në sektorët përkatës. Është prier i njomi me të thatin dhe në krah të një profesori të nderuar mund të jetë një analfabet, që ka ardhur aty me të njëjtën peshë me titullin ‘doktor’ që nuk dihet si e ka marrë. Ne nuk mund të vazhdojmë ta mbajmë në këmbë një shërbim të tillë social.

Ne mendojmë që pjesën e fondeve që shkon dëm do ta spostojmë për të krijuar bibliotekën shkencore të universitetit, është një shumë e konsiderueshme me të cilën mund të marrim menjëherë dhe të vëmë në dispozicion të fakulteteve dhe shkencëtarëve një bibliotekë dixhitale me të gjitha materialet e orës së fundit dhe ndërkohë, për sa i përket pjesës së pagave dhe shpërblimeve për një grup njerëzish të nderuar ne do vendosim një afat, që do jetë afati i materializimit të këtyre që po diskutojmë. Ne të vazhdojmë dialogun me një institucion që i ka forumet në pikëpyetje, kjo nuk bëhet.

Sikur të ngjallej Eqerm Çabej dhe të futej sot këtu si do ndjehej? Do thoshte ‘më mirë po kthehem në botën tjetër se të rri mes jush’. Kemi një marrëzi përballë, që është Akademia e Shkencave. Përgjegjësia është e gjithanshme. Ne si qeveri nuk mund ta mbajmë më këtë përgjegjësi. Njerëzit po ndahen nga kjo botë dhe akademia mbetet vendi ku realizohen funeralet, është bërë si shtëpi varrimi. Duhet rithemelim, s’ka çfarë rregullohet, pasi është e prishur deri në fund.

Gjuha jonë kërcënohet drejtpërdrejtë nga lloj-lloj matrapazësh. Vitin e ardhshëm do hedhim bazat për një fondacion real për akademinë. Jemi vendi me pjesëmarrjen më të ulët në Evropë dhe me përfitimin më të ulët në rajon nga fondet e kërkimit shkencor të BE. Qeveria paguan tarifën çdo vit për të pasur akses dhe kur ballafaqohemi me kolegët tanë në rajon është e pabesueshme se çfarë hendeku të madh ka kjo akademi. Krejt e shkëputur nga këto zhvillime, e ndarë nga rrugët e kërkimit të fondeve. Na duhet një strukturë, një akademi shqiptare përtej kufijve shtetëror, që të jetë e gatshme të luajë rolin që folëm. Ne si qeveri nuk do rrimë në pritje dhe as mund ta bëjmë vetë, se do bënim një tjetër çudi.

Ne jemi të detyruar t’iu vendosim në një detyrë të vështirë në raport me shërbimin social. Duhet të bëjmë një shkurtim drastik të fondeve, duke ruajtur pjesën e financimit me ata, që sipas statusit, marrin një shpërblim, me një kusht që kjo të përkthehet në një platformë rithemelimi të akademisë. Duhet zëvendësuar kjo lloj qenieje që ka humbur kuptimin dhe përmbajtjen. Topi është në fushën tuaj, ne këto dy masa kemi, në buxhetin e 2018 do lëmë vetëm pjesën që do mbajë bashkë ju, në funksion të kësaj pune. Akademia si shërbim social do të mbyllet", përfundoi Rama. 


Artan Fuga: Reformat që duhen bërë urgjent në ASH
Akademiku Artan Fuga ka kërkuar riformim rrënjësor të Akademisë së Shkencave. Në takimin me kryeministrin Edi Rama, akademiku i njohur parashtrojnë një propozimesh për reformimin e institucionit të kërkimit shkencor, i cili sipas tij, duhet të marrë fund brenda vitit 2018.

I njohur si një ndër zërat më kritikë të gjendjes ku ndodhet Akademia e Shkencave, Fuga i mëshoi sërish faktit se më parë duhet të bëhet reformimi i ASH dhe pas zgjedhjet brenda institucionit.

"Nuk dua të them se edhe personalisht më kanë fyer dhe disa inatcinjtë vazhdojnë edhe sot të fyejnë. Nuk ka rëndësi deformimi, por reformimi. Platforma është dokument fillestar për një konsensus të përbashkët. Reforma ka mbetur në mes të udhës. Kërkohet reformë e analizës së deritanishme, zgjedhjet e fundit fars, Akademia nuk mund të vendoset dot në shinat që duhet. Duhen parë fondet e Akademisë, sepse s’mund të kërkojmë fonde të tjera pa parë se si janë shpenzuar ato.

Reforma e personelit që ka mbetur në mes të rrugës. A mundet që personeli të jetë burokrat, të mos ketë gradën ‘doktor’. Reforma e statusit të akademikut dhe e pranimeve të reja. A do dalin akademikët në pension si njerëzit e tjerë? Reforma e matjes së punës shkencore dhe rezultati i saj. Reforma e shpërndarjes së fushatave. Reforma e marrëdhënieve të ASH me shoqërinë. Sa libra u shitën në panairin e fundit te stenda e akademisë? Përse projektet e mban për vete. Reforma e legjitimitet. Kush e përfaqëson tani akademinë? Reforma e punës shkencore të akademikëve. Për funksionimin e saj institucional.

Nëse akademia reformohet sinqerisht studimet e veta duhet ti gjejë me projekte, pranë një fondacioni ku edhe ne të konkurrojmë. Duhet ngritur një grup reformimi, me tagrin e qeverisë. Keni të drejtë kur thoni se reforma nuk është marrë seriozisht. ASH duhet të pretendojnë fonde publike me dy kushte: të dëshmojë se mat dhe kontributin e saj në GDP, duke treguar se ka parametra të saktë. Akademia duhet të ecë sipas parimit “Reformimi sipas rithemelimit”, të riorganizohet, pastaj të bëhen zgjedhje të reja.

Akademia e Shkencës t’i alokohen fondet që planifikohen në AF, ama kundrejt angazhimit të saj për të reformuar brenda 2018. ASH dhe qeveria të nënshkruajnë marrëveshje të përbashkët mirëkuptimi të bazuar në një projekt strategjik. Propozoj të ngrihet një komision qeveritar reformimi në bashkëpunim me akademinë. Pas reformimit, të riformohet akademia, sepse nuk mund të jetë akademik dikush që nuk është aktiv në kërkim", tha Fuga. 

Akademiku Apollon Baçe: Institucioni nuk ka ditur të prezantojë punimet e tij. Pak ditë më parë u botua një nga librat më të rëndësishëm, atlasi i Llorës. Akademia është simbol që duhet të forcohet dhe jo të dobësohet. Jo të gjithë ne që jemi në akademi e kemi vendin në akademi. Nuk e quaj veten vaj të kualitetit të parë, por ne jemi një vaj që do të vijë koha të digjet, por kandili nuk duhet të hidhet. Në procesin e Berlinit kërkohet bashkëpunimi mes Shkencës dhe Politikës, por të mos jetë ajo direkt që e drejton. Në pikën e 5 të procesit kërkohet që niveli të jetë në vendet e BE.

Aurela Anastasi, akademike: Bashkëpunimi është thelbësor. Edhe në platformat ndërkombëtare dallohet qartë nevoja për t’u afruar qeveria me kërkuesit shkencorë. Ne duam të ruajmë një Akademi si organ të pavarur, por e konsiderojmë të domosdoshme që të qasemi më mirë me reformën e sistemit të kërkimit shkencor dhe e quajmë të rëndësishme të vendosim ura lidhëse me institucionet e tjera kërkimore. Ne duam të jemi përfaqësuese e denjë e kombit tonë dhe e shkencës shqiptare në botë. Mëshoj idenë për forcimin e Akademisë sonë të Shkencave dhe asaj të Kosovës. Ne nuk duam të mbetemi thjesht institute, por kërkojmë të jemi më shumë, të koordinojmë në shkencën ndërkombëtare. Akademia duhet të ketë rol vlerësues, monitorues, shkenca shqiptare e ka të nevojshme këtë. 

d.b.d.c/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë