/ATSH/- Vendimi i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, për barazimin e tarifave celulare brenda dhe jashtë rrjetit, që duhej të hynte në fuqi në 1 Janar, është ankimuar nga operatorët celularë dhe, derisa AKEP të vendosë lidhur me këtë kërkesë, hyrja në fuqi e vendimit është pezulluar.

Rregullimet e vendosura nga AKEP gjatë muajit Nëntor u kundërshtuan që në fillim nga dy operatorët më të mëdhenj, duke qënë se nga njëra anë ato vendosnin detyrimin për mosdiskriminim tarifor në thirrjet brenda rrjetit dhe jashtë rrjetit, por nga ana tjetër i lejonin një tarifë terminimi disa herë më të lartë operatorit "Plus Communication". Një tjetër argument është se barazimi i tarifave brenda rrjetit me ato jashtë rrjetit krijon probleme në marrëdhënie me abonentët ekzistues, veçanërisht në planet tarifore me kontratë.
Këto plane janë të shumta në varësi të segmenteve të ndryshme të konsumatorëve, madje, për klientë të veçantë, si institucione apo koorporata të mëdha, kushtet janë preferenciale. Ndryshimi i planeve kërkon mirëkuptimin e klientëve dhe mund të rrezikojë që operatorët të humbasin shumë prej këtyre abonentëve. Burime nga AKEP bëjnë të ditur se vendimi pritet të merret gjatë muajit Janar dhe, deri atëherë, detyrimi për rregullimin e tarifave nuk do të hyjë në fuqi.

Në Nëntor, AKEP vendosi që operatorët celularë jo vetëm të detyrohen të aplikojnë tarifa të njëjta standarde, por nuk do të lejohen të bëjnë diferencime as në paketat ofertë. Njësitë e komunikimit brenda rrjetit duhet të jenë të njëjta me ato drejt operatorëve të tjerë, çka, mes të tjerash, do të thotë se paketat që ofrojnë komunikim pa limit brenda rrjetit praktikisht do të zhduken.

Ky vendim është marrë pas shqetësimeve të shprehura nga dy operatorët me pjesë tregu më të vogël, që prej vitesh ankohen se operatorët e mëdhenj po aplikojnë tarifa diskriminuese për thirrjet jashtë rrjetit, me qëllim mbajtjen e përdoruesve në rrjetet e tyre. Gjithashtu, AKEP ka vendosur uljen e mëtejshme të tarifave të thirrjeve me shumicë, që operatorët i paguajnë njëri-tjetrit për kryerjen e thirjeve në rrjetet respektive.

Duke filluar nga 1 Dhjetori 2014, kjo tarifë është ulur në 1.48 lekë për të tre operatorët, "AMC", "Vodafone Albania" dhe për rrjetin celular të "Albtelecom". Nga ana tjetër, AKEP ka vendosur të ruajë të pandryshuar tarifën për operatorin "Plus", në 6.52 lekë për minutë.