Ministria e Arsimit përcakton modelin e liçencës që do jepet për mësuesit e rinj. Në një udhëzim të Ministres së Arsimit Lindita Nikolla shpjegohet mënyra se si do e marrin mësuesit e rinj liçencën dhe çfarë do të përmbajë ajo.

Licenca për ushtrimin e profesionit rregulluar të mësuesit përmban një numër unik për çdo kandidat, i cili përbëhet nga dhjetë shifra, ku dy shifrat e para tregojnë vitin e dhënies së Provimit të Shtetit, dy shifrat e dyta kodin e profilit dhe gjashtë shifrat e tjera numrin individual të kandidatit.

“Agjencia Kombëtare e Provimeve, përgatit licencën për ushtrimin e profesionit të rregulluar të mësuesit sipas profileve përkatëse, me elemente të veçanta sigurie. Të dhënat e kandidatëve plotësohen nga drejtoritë arsimore rajonale/zyrat arsimore dhe dërgohen në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit dhe AKP.

Licenca për ushtrimin e profesionit të rregulluar të mësuesit lëshohet nga AKP-ja brenda 45 ditëve kalendarike nga data e përfundimit të Provimit të Shtetit në profesionin e rregulluar të mësuesit. Licencat tërhiqen në Agjencinë Kombëtare të Provimeve nga personat e autorizuar nga DAR-et dhe mbahet procesverbali përkatës.

Një kopje e licencës ruhet në arkivin e Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Tërheqja e licencës bëhet pranë DAR-eve nga kandidatët fitues ose nga persona të pajisur me prokurën përkatëse”, - përcakton udhëzimi i ministres Lindita Nikolla.

Me liçencë do të pajisen me licencë gjithë kandidatët e mëparshëm, fitues në Provimin e Shtetit për ushtrimin profesionit të rregulluar të mësuesit, të cilët janë kandidatët fitues të sezoneve të mëparshme të provimit të shtetit në këtë profesion, që nuk janë pajisur ende me licencë dhe konkretisht kandidatët pjesëmarrës dhe fitues në sezonet e provimit të shtetit në profesionin e rregulluar të mësuesit, dhjetor 2013 dhe korrik 2014.
 
Kualifikimi
Të gjithë mësuesit mund të japin provimin e kualifikimit për vitin e ardhshëm nëse plotësojnë disa kritere. Në udhëzimin e publikuar në Fletoren Zyrtare jepen dokumentat që do përmbajë portofoli i një mësuesi. Portofoli personal përmban këto dokumente:  Curriculum Vitae (me fotografi), vlerësimin e fundit të performancës që ka marrë kandidati nga drejtuesi i institucionit arsimor dhe fotokopje e noterizuar e certifikatave me kredite. Fotokopje e noterizuar e dëshmive të titujve/gradave shkencore (nëse ka), fotokopje e noterizuar e dëshmive të mbrojtjes së gjuhëve të huaja (nëse ka).

Portofoli profesional përbëhet nga këto elemente: një plan të një aktiviteti me nxënësit e një klase të caktuar, në kuadër të shkollës si qendër komunitare, një test përmbledhës, sipas profilit përkatës dhe objektivat e arritjeve të nxënësve për një kapitull (në një lëndë dhe klasë të caktuar). Një planifikim të një mësimi model (ditar), duke u bazuar në mësimdhënien me në qendër nxënësin dhe një plan të një projekti kurrikular, së bashku me përshkrimin e realizimit të tij.
 
Eksperjenca
Procedurave të kualifikimit u nënshtrohen të gjithë mësuesit, të cilët, deri më 31 dhjetor plotësojnë kushtet e mëposhtme për vjetërsinë e punës në arsim: Të paktën 5 vjet punë për kategorinë e kualifikimit “mësues i kualifikuar”.

Të paktën 10 vjet punë për kategorinë e kualifikimit “mësues specialist” dhe të paktën 5 vjet punë pas marrjes së kategorisë “mësues i kualifikuar”. Të paktën 20 vjet punë për kategorinë e kualifikimit “mësues mjeshtër” dhe të paktën 10 vjet punë pas marrjes së kategorisë “mësues specialist”.

Shkrimi u botua ne gazeten Shqiptarja.com 8 Maj 2015
 
Redaksia Online
(d.b/Shqiptarja.com)