Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen ka ndodhur në Fiershegan të Lushnjës, ku ka humbur jetën 35-vjeçari Klevis Gjoni.

Sipas të dhënave paraprake, i riu po drejtonte një motoçikletë kur u përplas me një mjet tip “Caddy”.

Nga informacionet në vendngjarje, mësohet se automjeti po kryente një manovër për t’u kthyer në anën tjetër të rrugës, me qëllim hyrjen në një banesë. Në të njëjtën kohë, motoçikleta ka tentuar parakalimin në të njëjtën korsi, duke çuar në përplasjen fatale.

Si pasojë e plagëve të marra, 35-vjeçari është transportuar në spital, por nuk ka mundur të mbijetojë, pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e policisë rrugore, të cilat po punojnë për dokumentimin e plotë të aksidentit.

Sipas burimeve policore, shkak paraprak i ngjarjes dyshohet të jetë manovra e parakalimit nga ana e drejtuesit të motoçikletës, ndërsa mjeti tjetër ishte duke u kthyer në krahun tjetër të rrugës.

Njoftimi i plotë i Policisë 

"Rreth orës 12:20, në aksin rrugor “FierLushnjë”, shtetasi M. P., 61 vjeç, duke drejtuar automjetin, është përfshirë në një aksident me një motomjet, me drejtues shtetasin K. Gj., 36 vjeç. Si pasojë e aksidentit, ka ndërruar jetë në spital drejtuesi i motomjetit, shtetasi K. Gj. Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar drejtuesin e automjetit, shtetasin M. P., në Komisariat për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit"