43-vjeçari Ernis Xhumari ka humbur jetën në orët e para të ditës së marte, pas një aksidenti rrugor në zonën e “Rrethrrotullimit të Plasmasit” në Lushnjë. Policia bëri të ditur se 43-vjecari, i cili është vëllai i zv/ministres së Mjedisit, Elda Xhumari është aksidentuar gjatë ndjekjes policore.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:45 kur punonjësit e sallës operative kanë konstatuar nëpërmjet kamerave te sigurise një “Mercedes-Benz” që kryente manovra para komisariatit të Lushnjes.

Xhumari ka dalë nga automjeti dhe ka qëndruar për disa momente duke bërtitur para godinës së komisariatit, veprim që është përsëritur disa herë në një kohë të shkurtër. Në këto kushte është njoftuar patrulla e përgjithshme e cila është vënë në ndjekje të 43-vjecarit.

Për shkak të shpejtësisë, gjatë tentativës për t’i ikur policisë, ai është përplasur fillimisht me bordurat anësore të rrugës dhe më pas makina është përmbysur.

43-vjeçari me origjinë nga Lushnja, banues në Tiranë, humbi jetën në vendngjarje.

Nuk dihen shkaqet që e çuan Xhumarin drejt këtij veprimi, por burimet policore thanë se i ndjeri kishte qenë më herët i proceduar për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe ishte ndëshkuar me gjobë si dhe i janë hequr pikët në patentë.  

1780388369_ernisxhumari.jpg

Viktima Ernis Xhumari

1780381747_lushnje.jpeg

Automjeti i aksidentuar që po drejtonte 43-vjeçari

Njoftimi i Policisë:

Rreth orës 01:45, të datës 02.06.2026, punonjësit e sallës operative të Komisariatit të Policisë Lushnjë, nëpërmjet kamerave të sigurisë, kanë konstatuar përpara Komisariatit, një automjet tip “Mercedes-Benz”, duke kryer manovra të çrregullta, dhe më pas drejtuesi i automjetit ka dalë nga automjeti duke bërtitur para Komisariatit, veprim të cilin e ka përsëritur disa herë. 

Në këto kushte, salla operative ka njoftuar Patrullën e Përgjithshme që ishte me shërbim në qytet, për t’u afruar në Komisariat, me qëllim verifikimin e drejtuesit të automjetit dhe arsyen e sjelljeve të tij.  

Drejtuesi i automjetit, sapo ka parë Patrullën e Përgjithshme që vinte drejt Komisariatit, është larguar me shpejtësi të madhe dhe pas disa minutash dyshohet se për shkak të shpejtësisë së madhe dhe humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit nga ana e drejtuesit, automjeti  është përplasur me bordurat anësore të rrugës, në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Plasmasit” dhe është përmbysur. Si pasojë, drejtuesi i automjetit, shtetasi E. Xh., 43 vjeç, banues në Tiranë, ka humbur jetën.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.