Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen 15 janarit në Durrës, te Ura e Dajlanit. Rreth orës 22:15 një automjet tip BMW X5 ka dalë nga rruga dhe ka rënë nga ura, duke përfunduar rreth 30 metra poshtë saj.

Si pasojë e aksidentit, pasagjerja 18-vjeçare ka humbur jetën, ndërsa drejtuesi i mjetit ka mbetur i plagosur rëndë dhe është transportuar drejt spitalit për ndihmë mjekësore. Gjithashtu, nën kujdesin e bluzave të bardha tashmë janë edhe 2 këmbësorë të dëmtuar nga aksidenti.

"Rreth orës 22:15, të datës 15.01.2026,  te ura e Dajlanit, në lagjen nr. 4, automjeti me drejtues shtetasin A. Xh., 26 vjeç, banues në Fier, ka rënë nga mbikalimi. 

Si pasojë e aksidentit, ka ndërruar jetë pasagjerja, shtetasja V. G., 18 vjeçe, ndërsa janë dëmtuar drejtuesi i automjetit, shtetasi A. Xh., si dhe dy këmbësorë, shtetasit T. T., 33 vjeç, dhe A. M., 35 vjeç, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve,- njofton policia.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe zjarrfikësit, të cilët kanë ndërhyrë për nxjerrjen e personave që ndodheshin brenda automjetit.

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit.

Së fundmi në një pjesë të mbikalimit të Urës së Dajlanit janë kryer punime në njërën korsi, ndërsa rruga ka qenë e pajisur me sinjalistikë dhe tabela paralajmëruese. Nuk dihet ende nëse këto nuk janë dalluar nga drejtuesi i mjetit, duke çuar në një manovër të gabuar, apo nëse ka pasur rrethana të tjera që kanë ndikuar në aksident.