Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur ditën e sotme në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, pranë fshatit Xibrakë.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se dy makina janë përplasur me njëra-tjetrën. Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën një 33-vjeçar kinez, që ishte drejtues i njërit prej automjeteve dhe dyshohet se janë plagosur 4 persona të tjerë, të cilët ndodhen në spital dhe po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.
Në vendngjarje kanë shkuar tre autoambulanca, dy mjete të shërbimit Zjarrfikës, që kanë bërë të mundur nxjerrjen e të plagosurve nga automjetet dhe transportimin e tyre në spital.
Ndërkohë në vendin e ngjarjes ka shkuar edhe Policia, e cila po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të aksidentit.
Njoftimi i Policisë:
Elbasan/Informacion paraprak-Rreth orës 14:50, në aksin rrugor “Librazhd-Elbasan”, automjeti me drejtues shtetasin kinez T. H., 33 vjeç, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin V. M., 26 vjeç.
Si pasojë e aksidentit ka humbur jetën shtetasi kinez T. H., si dhe janë dëmtuar drejtuesi i automjetit tjetër, shtetasi V. M., si dhe 3 pasagjerë, të cilët janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore.
Grupi hetimor punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Komente








