Një aksident me vdekje është shënuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në aksin rrugor Lezhë-Mabë.

Ngjarja është shënuar rreth orës 04:30, ku një kamion është përplasur me një automjet që drejtohej nga një qytetar nga Kosova, i indentifikuar si Kadri Behluli.

Ky i fundit ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra, ndërsa e motra, Fatmire Bytyçi, 60 vjeçe dhe djali i viktimës, Florilind Behluli, 25 vjeç ndodhen te Trauma, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Drejtuesi i kamionit, malazez Adnan Mucic, 52 vjeç, është shoqëruar në Komisariat.

Sipas hetimeve paraprake drejtuesi i autoveturës që po lëvizte në drejtim të Lezhës, dyshohet se ka qenë i përgjumur dhe ka humbur kontrollin, duke sjellë edhe përplasjen fatale.

"Rreth orës 04:30, në aksin rrugor Lezhë–Mabë, një automjet tip kamion, me drejtues shtetasin A. M., është përplasur me një automjet me drejtues shtetasin kosovar K. B.

Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i automjetit, shtetasi  K. B., ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa motra e tij, shtetasja F. B., dhe djali i tij, shtetasi F. B., janë transportuar në Spitalin e Traumës, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Drejtuesi i kamionit, shtetasi A. M., është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Lezhë, ku po kryhen veprimet procedurale", njoftoi sot policia.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë