KORÇE - Një aksident i rëndë ka ndodhur orët e para të mëngjesit të sotëm në aksin rrugor Maliq-Korçë. Tek ura në dalje të Maliqit, një automjet me targa AA527VK dhe drejtues Gjergji Elmasin, 24 vjeç, ka dalë nga rruga dhe për pasojë ka rënë në lumin Devoll. Drejtuesi i automjetit ka humbur jetën, ndërsa udhëtonte i vetëm. Policia njofton se aksidenti ka ndodhur rreth orës 03:45 minuta të mëngjesit, ndërsa ka qenë një shok i viktimës i cili ka njoftuar blutë.

Kërkimet për trupin e pajetë të të riut nisën rreth orës 08:00 nga një ekip polumbarësh të mbërritur nga Tirana. Pak minuta pas kërkimeve, polumbarët gjetën trupin e pajetë të të riut. Siç duket edhe nga pamjet e siguruara nga Report Tv, ura nga ku ra makina nuk ka barriera mbrojtëse. I riu dyshohet të ketë qenë nën efektin e alkoolit në momentin e aksidentit, pasi po kthehej në shtëpi nga një lokal nate. Rreth 5 orë pas aksidentit polumbarët nxorën nga ujërat e Devollit edhe automjetin e të riut.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:19
Ra me automjet në lumin Devoll, ky është i riu që humbi jetën sot në Maliq (FOTO)

Report Tv dhe Shqiptarja.com sigurojnë foton e 24-vjeçarit Gjergji Elmasi i cili humbi jetën nga aksidenti në dalje të qytetit të Maliqit. I riu humbi kontrollin e automjetit dhe doli nga ura, duke përfunduar në ujërat e lumit Devoll. Ngjarja ndodhi rreth orës 03:45 të mëngjesit të sotëm, ndërsa trupi i pajetë i Elmasit u nxor nga polumbarët rreth pesë orë pas ngjarjes. 

Gjergji Elmasi, i riu që humbi jetën në Maliq
Ora 09:41
Aksidenti në Maliq, banorët: Ura pa barriera përbën rrezik, kanë ndodhur 6 aksidente me të vdekur

Banorët e zonës në dalje të Maliqit ku ndodhi aksidenti me pasojë vdekjen e një 24-vjeçari, Gjergji Elmasi, shprehen se ura ku kalojnë automjetet përbën rrezilk pasi nuk ka barriera mbrojtëse, ndërsa prej vitesh nuk njeh investim. Ata u shprehën për gazetaren e Report Tv Iris Rezhda se në atë zonë janë bërë rreth 6 aksidente me pasoja fatale. "Aty është zonë e rrezikshme, janë bërë 5-6 aksidente, ku ka pasur edhe te vdekur. Ura nuk ka as barriera dhe rruga është pa bordura", shprehen banorët. 

Ura në dalje të Maliqit ku ndodhi aksidenti
Ora 08:52
'Kalova dhe pashë që makina ra në lumë', shoku i Gjergji Elmasit rrëfen si ndodhi aksidenti te ura e Maliqit

Shoku i Gjergji Elmasit është bërë dëshmitar i momentit të aksidentit fatal ku humbi jetën 24-vjeçari në aksin rrugor Korçë-Maliq. Punonjësi i shërbimit zjarrfikës në Korçë ka rrëfyer se pa momentin kur makina ra nga ura në dalje të Maliqit, ndërsa ka tentuar t'i japë ndihmën e parë shokut të tij, por ka qenë e pamundur për shkak të thellësisë së lumit Devoll. Më pas ai ka njoftuar policinë e cila ka mbërritur në vendin e ngjarjes. "Kalova dhe e pashë që ra makina. Doja të hyja edhe vetë por ishte shumë thellë. Makinës i dalloheshin vetëm dritat", tha shoku i Elmasit.

Ora 08:36
Aksidenti në Maliq, polumbarët nxjerrin trupin e pajetë të 24-vjeçarit (VIDEO)

Ekipeve të polumbarëve të mbërritur nga Tirana u janë dashur pak minuta kërkime për gjetjen e trupit të pajetë të 24-vjeçarit Gjergji Elmasi, i cili ra me automjet nga ura në dalje të Maliqi, duke përfunduar në lumë. Trupi i të riut është përcjellë për në morgun e spitalit të Korçës. Aksidenti ndodhi në orën 03:45 minuta të mëngjesit të sotëm. 

Ora 08:20
Aksident në aksin Maliq-Korçë, makina del nga ura dhe fundoset në lumë (FOTO)
Ora 08:20
Aksidenti te ura e Maliqit, polumbarët nisin kërkimet për gjetjen e automjetit (VIDEO)

Ekipet e polumbarëve kanë mbërritur te ura në dalje të Maliqit dhe kanë nisur kërkimet për gjetjen e automjetit që ra në lumë. Dyshohet se në automjet po udhëtonte vetëm drejtuesi Gjergji Elmasi, 24 vjeç. Në pamjet e siguruara nga Report Tv shihen tre polumbarë të cilët kanë nisur kërkimet në ujërat e lumit Devoll. 

Ora 08:20
Lidhje direkte dhe pamje nga vendi ku ndodhi aksidenti në aksin Maliq-Korçë

Gazetarja e Report TV në Korçë, Iris Rrezhda, raporton nga vendi i ngjarjes te ura e Maliqit, ku një makinë ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në lumë.

Ora 08:00
Aksidenti në Maliq, policia jep detaje: Makina ra në lumë, pritet ardhja e polumbarëve

Policia e Korçës ka dhënë detajet e para nga aksidenti pranë qytetit të Maliqit. Në njoftimin e shpërndarë për mediat, policia thekson se një automjet veturë nga rënë nga ura dhe ka përfunduar në ujërat e lumit Devoll. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 03:45. Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë dhe Zjarrfikësja, por për shkak të thellësisë së madhe të ujit, nuk është bërë e mundur nxjerrja e mjetit. Pritet ardhja e polumbarëve. Report Tv mëson se automjeti drejtohej nga një 24-vjeçar i quajtur Gjergji Elmazi, i cili dyshohet të ketë humbur jetën.