Korçë-Një aksident është regjistruar pasditen e sotme në aksin rrugor Korçë-Pogradec.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:55 në afërsi të fshatit Lumalas.
Sipas informacioneve të policisë një mjet tip Benz ka përplasur një këmbësore, të moshës 48-vjeçare.
E plagosura me inicialet L. M., është transportuar në spitalin e Korçës për të marrë ndihmë mjekësore dhe sipas burimeve spitalore ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa shoferi 40 vjeç është shoqëruar në komisariat.
"Rreth orës 16:55, në aksin rrugor "Korçë-Pogradec", në afërsi të fshatit Lumalas, automjeti tip "Benz", me drejtues shtetasin T. I., 40 vjeç, ka përplasur këmbësoren, shtetasen L. M., 48 vjeçe, e cila është transportuar në spital dhe është në kujdesin e mjekëve.
Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Korçë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale", njoftoi sot policia.
Grupi hetimor është në vendngjarje, ku vijon punën për të përcaktuar shkakun e aksidentit.