Një aksident rrugor ka ndodhur në afërsi të fshatit Vodicë në Poliçan, në vendin e quajtur “Çezma e Thatë”. Një automjet tip Toyota Yaris ka dalë nga rruga në një kthesë dhe ka përfunduar në kanalin kullues në anë të rrugës.

Si pasojë e aksidentit janë plagosur tre anëtarë të së njëjtës familje: Veiz Shermalli, 60 vjeç, Rabushe Shermalli, 78 vjeçe dhe Liljana Shermalli, 58 vjeçe që ishte edhe drejtuesja e automjetit.

Të plagosurit janë transportuar fillimisht në Spitalin Rajonal Berat, ku kanë marrë ndihmën mjekësore. Për shkak të frakturave të marra, 78-vjeçarja Rabushe Shermalli është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar.

Paraprakisht dyshohet se nxehtësia e lartë e asfaltit mund të ketë ndikuar në rrëshqitjen e automjetit gjatë marrjes së kthesës, por shkaqet e plota do të përcaktohen pas hetimit.