Bashkia Dimal ka zhvilluar sot një mbledhje emergjente të Këshillit Bashkiak, ku në fokus ka qenë propozimi i PS për hartën e re territoriale, i cili parashikon shkrirjen e kësaj bashkie dhe bashkimin e saj me Bashkinë Berat.

Në nisje të mbledhjes është lexuar relacioni i propozuar për shkrirjen e Bashkisë Dimal. Sipas anëtarëve të Këshillit Bashkiak, argumentet e paraqitura në relacion lidhen me lidhjen historike të hershme mes zonave, shtrirjen përgjatë lumit Osum dhe ekzistencën e Spitalit Rajonal në Berat.

Këshilltarët e Bashkisë Dimal i kanë kundërshtuar këto argumente, duke deklaruar se ato nuk përputhen me analizën e raportit të ekspertëve.

Sipas tyre, gjatë 10 viteve të fundit, Bashkia Dimal ka realizuar mesatarisht rreth 38% të investimeve me buxhetin e vet aktiv, duke u renditur e pesta në rang vendi. Ndërsa, sipas këshilltarëve, Bashkia Berat e ka pasur këtë tregues në një mesatare prej rreth 7%.

Këshilltarët kanë argumentuar gjithashtu se bashkimi me Bashkinë Berat nuk do të sjellë rritje të kapaciteteve investuese për Dimalin. Përkundrazi, sipas tyre, shkrirja mund të ndikojë negativisht në ekonominë e zonës, veçanërisht tek fermerët, të cilët prej vitesh eksportojnë prodhimet bujqësore dhe të serave në tregjet ndërkombëtare.

Pas diskutimeve, anëtarët e Këshillit Bashkiak kanë dalë në përfundimin se relacioni nuk argumenton, sipas tyre, me fakte dhe studime fizibiliteti avantazhet e shkrirjes së Bashkisë Dimal.

Këshilltarët i janë referuar edhe nenit 89, duke argumentuar se, në këto kushte, propozimi për shkrirjen e bashkisë është i pavlefshëm.

Në përfundim të mbledhjes, 18 nga 21 anëtarët e Këshillit Bashkiak Dimal kanë votuar “Pro” pavlefshmërisë së relacionit të propozuar për shkrirjen e bashkisë, si dhe “Pro” mos-shkrirjes së Bashkisë Dimal dhe vijimit të saj si njësi vendore më vete.