Një fëmijë 8 vjeç mbeti i plagosur, pasi u përplas nga një automjet në rrugën e Kombit. Aksidenti ndodhi rreth orës 8:00 të mëngjesit të së martës në segmentin Milot-Rrëshen, pranë fshatit Fang të Mirditës. 8 vjeçari u dërgua për ndihmë mjekësore në spitalin e Mirditës, nga ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Policia e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes shoqëroi në komisariat drejtuesin e automjetit shtetasin me iniciale P.Gj si dhe nisi hetimet për zbardhjen e shkaqeve dhe rrethanave të këtij aksidentit. Në momentin e ngjarjes i mituri ishte i shoqëruar nga e ëma dhe dy motrat.

8-vjeçari është shkëputur nga nëna e tij, për të hipur në furgonin me të cilin shkonte në shkollë, e për pasojë është përplasur nga makina. Aksidenti ndodhi pranë mbikalimit  që ndodhet në këtë zonë, por që është i dëmtuar dhe nuk përdoret nga kalimtaret. Ndërkohë gjatë gjithë paradites të së martës në superstradën Lezhë-Milot dhe rrugën e Shëngjinit u krijua trafik i rënduar dhe kaos në lëvizje. Shkak për këtë situate u bë bllokimi i rrugës hyrëse të Shëngjinit nga një trajler i cili pësoi defekt.

Për të lehtësuar sadopak lëvizjen dhe orientuar drejtuesit e automjeteve janë u vendosen efektiv te policisë rrugore në disa pika, ndërsa largimi trajlerit nga rruga u bë në orët e drekës.