ELBASAN-  Mbrëmja e ditës së hënë ka rezultuar fatale për tre persona nga qyteti i Elbasanit që kanë humbur jetën në një aksident tragjik. Rreth orës 23:30 një makinë tip Mini Cooper ka dalë nga rruga në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, në vendin e quajtur Ura e Lizës duke u përplasur me një shtyllë betoni.

 Në makinë ndodheshin gjashtë persona, dy prej të cilëve, Spartak Bakalli 26 vjeç dhe Leonard Xhaferri 25 vjeçhumbën jetën në vend, ndërsa Taulant Haxhiaj 26 vjeç ka ndërruar jetë në spitalin e qytetit të Elbasanit duke mos arritur t’u mbijetojë plagëve të rënda. Sakaq Serian Tafani dhe Robert Karaj janë transportuar me urgjencë drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë, pasi janë në gjendje kritike për jetën. Personi i gjashtë që ndodhej në makinë është Indrit Kasa, i cili ka pësuar vetëm disa gërvishtje të lehta në trup duke u larguar nga spitali pas marrjes së disa mjekimeve të lehta.

Gjashtë personat që udhëtonin me makinën tip Mini Cooper janë nga qyteti i Elbasanit. Sipas raportit paraprak të policisë, shkak i aksidentit ka qënë shpejtësia e madhe.
(db/shqiptarja.com)