Aksidenti me pasojë vdekjen e një vajze 18-vjeçare një natë më parë në Durrës, ka sjellë edhe njëherë në vëmendje se sa shpejt qarkullojnë të rinjtë me makinë edhe pse mund të jenë nën efektin e alkoolit.
Gëzim Hoxha, ekspert rrugor përmes një lidhje të drejtëpërdrejtë në ‘Sot Live në Shqipëri’ tha se të rinjtë shpejtësinë e konsiderojnë si një sport pa marrë parasysh rreziqet që mund të sjellë. Nga ana tjetër Hoxha theksoi se ARRSH duhet të dalë në terren për të inspektuar rrugët e ndërtuara.
“Aksidentet rrugore janë bërë një dukuri shumë negative në shoqërinë tonë dhe po humbasin shumë jetë njerëzish, veçanërisht të rinjtë të cilët e konsiderojnë si sport dhe nuk e kuptojnë qe jeta e tyre varet nga shpejtësia që ata lëvizin. ARRSH duhet të dalë në terren jo me këpucë por me çizme dhe të bëjë një mbikqyrje të rrugëve të ndërtuara.
Duhet parë pak këndi i shpejtësisë së rrugës, aty (Ura e Dajlanit) ka rënë edhe një makinë tjetër në shtator. Për mendimin tim aty duhet të ketë edhe një sinjalistikë shtesë me qëllim që të ruhemi (nga aksidentet). Jo çdo gjë duhet të lihet në dorën e policisë, ne gjithashtu duhet të kujdesemi për veten”, tha Hoxha.
Për shmangien e aksidenteve të tilla, eksperti shprehet se në vende të botës përdoren praktika të ndryshme.
“Bota ka një sërë variantesh, psh kur shkon në lokal, në hyrje të tij thuhet se drejtuesi i makinës nuk duhet të përdorë pije alkoolike. Kur del nga lokali i bëjnë test alkooli, dhe nuk të jep çelësat e makinës (praktikë që realizohet në Holandë). Megjithatë në Shqipëri ne duam shumë kohë të empancipohemi. Njerëzit duhet të kuptojnë se kur shkohet për të pirë alkool, shkohet me taksi dhe jo me makinën tënde”, shprehet ai.
Në fund të intervistës eksperti përsëriti edhe njëherë se në rrugët e vendit tonë duhen parë veçanërisht elementët e sigurisë. Ai vuri në dukje barrierat mbrojtëse të dëmtuara në disa segmente rrugore.
“Të gjitha rrugët e Shqipërisë duhen parë veçanërisht për elementët e sigurisë, që të mos rrezikojmë jetën e njerëzve. Format se kush do ta bëjë pastaj është pjesë teknike. Duhet bërë akordimi i kthesave.Barrierat mbrojtëse janë për faqe të zezë janë rrëzuar dhe nuk janë rregulluar sërish”, nënvizoi ai.
Komente










