TIRANE- Në një kohë kur bilanci i aksidenteve rrugore vazhdon të mbetet i frikshëm me humbjen e jetëve njerëzore, si dhe në rastin e deputetit të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi. Policia Rrugore ka riaktivizuar teknologjinë “Skaut”, e cila në distancë identifikon shoferët me probleme. Një patrullim është realizuar sot në autostradën Tiranë-Durrës, ku vetëm në 15 minuta janë konstatuar 60 mjete me shkelje gjatë përdorimit të rrugës.

Në kuadër të shmangies së aksidenteve në rrugë, si dhe sensibilizimit të shoferëve, Policia Rrugore së bashku me policinë e kryeqytetit me anë të aparaturës “Skaut” kanë nisur patrullimin në aksin e kësaj autostrade.

Teknologjia “Skaut”, në kohë reale identifikon nëpërmjet targës së automjeteve shkelësit e rregullave të qarkulllimit rrugor, ku vetëm në pak minuta në postobllokun e ngritur janë konstatuar mbi 60 shoferë me probleme.

Aksioni policor vlerësohet nga qytetarët si diçka e domosdoshme, por vendi dhe mënyra se si është ndërtuar jo, pasi sipas tyre krijon probleme në trafik.

Ndërsa ekspertët e Policisë Rrugore thonë se ende nuk ka një statistikë se sa është numri i automjeteve dhe shoferëve me probleme, paçka se ai konsiderohet i lartë.

Mes drejtuesve të mjeteve me probleme, nga postoblloku është ndaluar dhe një drejtuese mjeti, pasi qarkullonte pa asnjë dokumentacion dhe pa patentë.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)