Aksidentet rrugore në Shqipëri janë rritur gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, nga janari deri në shtator janë regjistruar 1.090 aksidente, nga 1.028 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me një rritje prej 6%.
Vetëm gjatë shtatorit janë regjistruar 107 aksidente rrugore, ku 130 persona kanë mbetur të vrarë ose të plagosur. Krahasuar me shtatorin e vitit 2025, numri i aksidenteve është rritur nga 102 në 107, ndërsa numri i personave të aksidentuar ka rënë nga 135 në 130.
Ajo që bie në sy nga statistikat është se 90,7% e aksidenteve gjatë shtatorit kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve.
Të rinjtë deri në 24 vjeç rezultojnë grup-mosha me numrin më të lartë të aksidenteve, duke përbërë 27,1% të totalit të regjistruar gjatë këtij muaji.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se orët e mbrëmjes janë periudha kur regjistrohen më shumë aksidente. Konkretisht, 26,2% e tyre kanë ndodhur nga ora 19:00 deri në mesnatë.
Sa u përket ditëve të javës, e premtja kryeson me 16,8% të aksidenteve, ndërsa e shtuna ka përqindjen më të ulët, me 11,2%.
Durrësi me rritje të ndjeshme, Tirana kryeson për numrin e aksidenteve
Një nga ndryshimet më të dukshme është regjistruar në Durrës, ku numri i aksidenteve gjatë shtatorit është rritur nga 5 në vitin 2025 në 19 këtë vit. Edhe numri i personave të vrarë dhe të plagosur është trefishuar, nga 7 në 21.
Në Tiranë janë regjistruar 32 aksidente gjatë shtatorit, nga 36 një vit më parë, ndërsa numri i personave të aksidentuar ka rënë nga 40 në 36.
Megjithatë, në bilancin e nëntë muajve, kryeqyteti vazhdon të ketë numrin më të lartë të aksidenteve në vend, me 401 raste, nga 306 gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2025. Numri i personave të vrarë dhe të plagosur në Tiranë ka arritur në 493, nga 382 një vit më parë.
Rritje e numrit të aksidenteve gjatë shtatorit është regjistruar edhe në Gjirokastër, nga 2 në 6 raste, si dhe në Korçë, nga 8 në 11.
Nga ana tjetër, në Vlorë numri i aksidenteve ka rënë nga 11 në 5, ndërsa në Lezhë nga 12 në 7.
Në rang vendi, gjatë periudhës janar-shtator 2026, numri i përgjithshëm i personave të vrarë dhe të plagosur nga aksidentet rrugore ka arritur në 1.508, krahasuar me 1.441 gjatë nëntë muajve të parë të vitit të kaluar.







Komente
Komento