Përparim Gumeni, daja i Stilan Mullait, njërit prej dy viktimave të aksidentit të rëndë, i bën apel ministrit Tahiri dhe Kryeprokurorit Llalla të hetojnë rastin. Ai thotë e nuk merren masa nga prokuroria dhe gjykata familjarët do të detyrohen të shkojnë drejt hakmarrjes ndaj shoferit.
“Akuzoj policinë e Durrësit që kanë bërë ekspertizën e prokurorin se kanë mohuar krimin. Ky është aksident dhe unë s’e mohoj, por është mbuluar krimi. Shoferi ka vajtur në gjykatë pa një masë sigurie dhe ka dalë i lirë duke mos marrë as masën e detyrimit me paraqitje. Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri të hetojë ata që kanë bërë akt ekspertizë. Prokurori ta zbardhë. Nuk ka shtet që dy djem të futen në dhe e shoferi të gëzojë në shtëpi. Prokurori dhe ministri i Brendshëm të marrin masa urgjente sepse jemi fis i madh dhe jo i vogël”- tha Gumeni në një prononcim për tv A1 Report.
Dhjetë ditë më parë më 16 tetor, në autostradën Tiranë-Durrës automjeti Benz që drejtohej nga Stilian Mullaj është përplasur me kamionin. Për pasojë kanë vdekur drejtuesi i Benz-it Stilian Mullaj dhe tre ditë më pas humbi jetën dhe shoku i tij i cili ishte pasagjer në makinë Krenar Nanushi.
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)