Pas trendit negativ të të rinjve që reklamojnë në Tik-Tok video duke i dhënë makinës me shpejtësi mbi 200 kilometra në orë, efektivët e policisë rrugore janë bërë vetë pjesë e rrjeteve sociale për të identifikuar personat që bëjnë gara shpejtësi dhe shkelin rregullat e qarkullimit.

I tillë është rasti i këtij të riut, që Report Tv, i bëri publike disa ditë më parë, videon e postuar prej tij ku udhëtonte me 170 kilometra në orë, duke kryer manovra të rrezikshme në afërsi të aksidentit ku humbën jetën 3 të rinj te rreth rrotullimi i TEG-ut.

Policia ka investiguar dhe ka arritur ta identifikojë, siç vetë ai e dëshmon në një postim të radhës, që e shoqëron me kronikën e Report Tv.

Ndjekësi:   Të kapën vëlla?

I riu shofer:  Më hoqën patentën.

Ndjekësi: U kap lajmi.

I riu shofer: Iku patenta!

Edhe në këtë postim të dytë ndjekësit janë të ndarë, një pjesë e të cilëve në mbrojtje të çmendurisë së shpejtësisë dhe të tjerë që i tërheqin veshin për rrezikun.

“Mirë ta kanë bërë. Mirë veten e merr në qafë, por edhe rob të pafajshëm sepse 1 moment është dhe bëhet e keqja. – Nuk ka gjë vlla, e merr patentën sa më shpejt”.

Policia e Tiranës ka gjobitur gjatë ditëve të fundit, 70 shoferë të cilët kanë udhëtuar në rrugët e kryeqytetit me shpejtësi tej normave të lejuara.

Nga kontrollet në rrugët urbane dhe interurbane me risk për aksidente, policia i është vënë pas makinave me shpejtësi duke dëshmuar me kilometrazhin në automjetin e policisë në ndjekje, që i kalon mbi 170 km në orë. Shoferët e ndaluar janë gjobitur nga 20 mijë lekë deri në 40 mijë lekë.

Në një rast, një shofer është pikasur nga automjeti I policisë teksa shkel semaforin e kuq. Ngritja në këmbë e strukturave të policisë vjen pas aksidentit tragjik te rreth-rrotullimi i TEG-ut në Tiranë. Pasditen e 9 marsit Klevis Ruçaj 20 vjec po lëvizte me shpejtësi 194 km/h kur u përplas keqas më barrierat e rreth rrotullimit dhe fluturoi 28 metra duke rënë në nënkalim, dhe u përplas me një tjetër makinë që ishte në lëvizje.  Edhe Ruçaj, me patentë prej vetëm 1 viti dhe i ndëshkuar 5 her  për shkelje, postonte video në Tik Tok me mbi 270 km/h. Prej përplasjes 20 vjeçari humbi jetën bashkë me dy mikeshat që po udhëtonte, Sikela Përroj dhe Erisilda Abedini, 22 dhe 23 vjeç.