Aksidenti, shuhet deputeti Sokol
Olldashi, zëri kundër në PD

Aksidenti, shuhet deputeti Sokol<br />Olldashi, zëri kundër në PD
TIRANË-ELBASAN -  Deputeti i PD, 41 vjeçar, babai i dy fëmijëve dhe 2 herë, ministër në qeverisjen e djathë, Sokol Olldashi, humbi jetën mbrëmjen e djeshme (20 nëntor 2013) në moshën 41 vjeçare, në  një aksident tragjik teksa udhëtonte nga Tirana për në Elbasan. 

Ngjarje e rëndë, ngriti në këmbë strukturat shtetërore, të cilat mbërritën menjëherë në vendngjarje.

Homazhet u zhvilluan nga ora 12:00 tek Kuvendi. Sheshi para Kuvendit ishte mbushur plot me qytetarë, politikanë dhe diplomatë të akredituar në Tiiranë të cilët donin t'i jepnin lamtumirën e fundit Sokol Olldashit. Trupi i pajetë u përcoll për në banesën e fundit në orën 14:00 . 30 minuta më pas Ministria e Brendshme jep versionin zyrtar të ngjarjes ndërkohë që informon se është caktuar grupi i ekspertëve autoteknikë, të cilët do të realizojnë aktin e ekspertimit për të përcaktuar dinamikën e aksidentit si dhe shkaqet e ndodhjes së tij

ORA 14: 24 POLICIA JEP VERSIONIN ZYRTAR TE AKSIDENTIT 
"Në datë 20.11.2013 në rrugën interurbane dytësore, Tiranë - Elbasan, në Fshatin Krrabë, pranë vendit të quajtur “Lapidari i Krrabës”, ka ndodhur një aksident rrugor me pasojë vdekjen e shtetasit Sokol OLLDASHI, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë. Mjeti autoveturë i markës “Benz Mercedez”, me targa AA 003 NH i drejtuar nga deputeti Sokol Olldashi ka qënë duke udhëtuar në drejtimin e lëvizjes Elbasan - Tiranë.

Policia është njoftuar për këtë aksident rreth 21:20 të ditës së djeshme. Pranë Sallës së Komandimit të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Tiranë ka ardhur njoftimi se në dalje të tunelit të Krrabës në drejtimin e lëvizjes Elbasan – Tiranë një mjet kishte dale nga rruga. Në ora 21:28 në vendin e ngjarjes kanëmbërritur shërbimet Policisë Rrugore që mbulonin këtë aks rrugor dhe pak minuta më pas edhe shërbimet e tjera të Drejtorisë së Policisësë Qarkut Tiranë si dhe grupi hetimor. Të gjitha veprimet proceduriale u drejtuan nga Prokurori i Rrethit i Prokurisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Nga organi i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë është caktuar grupi i ekspertëve autoteknikë, të cilët do të realizojnë aktin e ekspertimit për të përcaktuar dinamikën e aksidentit si dhe shkaqet e ndodhjes së tij."- thuhet ne njoftimin e policise.

ORA 11: 30 GRUP HETIMOR NE VENDIN E AKSIDENTIT
Gazetari Arsen Rusta informon se një grup hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes në kilometrin e 6-të të aksit Tiranë-Elbasan,Qafë Kërrabë ku vazhdojnë verifikimet dhe mbledhjen e provave të cilat do të ndihmojnë ekspertizën automobilistike për të nxjerrë shkakun e aksidentit.
Ndërkohë që ekspertiza mjeko ligjore ka nxjerrë konkluzionin se Sokol Olldashi humbi jetën nga dëmtimet e organeve të brendshme.    

makina e aksidentuar e olldashit
(Në foto: Automjeti i përmbysur i të ndjerit Sokol Olldashi)

Në orën 11:20 Qeveria shpall zi kombëtare për nder të deputetit dhe politikanit të shquar Sokol Olldashi.  Vendimi i Keshillit te Ministrave

Shqiptarja.com dhe A1 Report i shpreh ngushëllime familjes Olldashi.  

Aksidenti u shënua rreth orës 21:20 minuta të 20 nëntorit. Gazetari i TV 'A1 Report" Arsen Rusta, nga vendi i ngjarjes informoi mbrëmë se  makina e "ish-ministrit të Rrugëve" një “Benz Mercedez”, tipi i fundit, me targa AA 003HN, ka dalë nga rruga në vendin e quajtur "lapidari i Kërrabës" në kilometrin e 6 të rrugës Tiranë-Elbasan.  Makina ka rënë nga një lartësi e madhe, prej të paktën 20 metra, duke përfunduar te varrezat e këtij fshati.

Makina, me të cilën Olldashi,  ka udhëtuar gjatë kohës kur ka bërë fushatë, dyshohet se është batuar në 180 gradë dhe më pas është rrokullisur.

Policia sqaron se drejtuesi i automjetit, që ishte vetë Olldashi, ka humbur kontrollin, pasi rreshjet e dendura të shiut e kanë penguar të shohë rrugën dhe si pasojë ka përfunduar në greminë. Mësohet se automjeti ka pësuar disa rrotullime të njëpasnjëshme në greminë duke u shkatërruar tërësisht.

Ngjarjen fillimisht e kanë parë banorët e zonës, të cilët kanë njoftuar policinë.  Në vendngjarje kanë mbërritur edhe dy ambulanca, një nga Tirana e një Elbasani dhe forcat e policisë së komisariatit numër 1 dhe policia rrugore.

Ka qenë e vështirë fillimisht të konfirmohej humbja e jetës së deputetit Olldashi për shkak se trupi ka qenë tepër i dëmtuar dhe gjendej e përmbysur 180 gradë në një terren të vështirë.

Efektivët që mbërritën të parët, kanë vënë re dokumentet e identifikimit që i përkisnin pikërisht Sokol Olldashit, mirëpo vetë rëndësia e informacionit si dhe pamja me të vërtetë e paqartë dhe tejet tragjike, ka sjellë hutim për grupin e ekspertëve si dhe vonesë në veprimet e para hetimore. Më tej, gjetja e një
skeleti syzesh dhe konfirmimi nga familjarët se Olldashi ndodhej në rrugë, i ka bërë zyrtarët e policicë, që të shtonin ritmin e veprimeve dhe të konfirmonin faktin se viktima ishte pikërisht Sokol Olldashi.

Është provuar edhe të telefonohej Olldashi dhe telefoni binte, por askush nuk përgjigjej. Rreth një orë pas aksidentit, në 23:35 është bërë e mundur dhe nxjerrja e trupit të tij. Më pas trupi ka shkuar në morg dhe rreth orës 05:00 është dërguar në banesën e tij ku do të zhvillohet dhe ceremonia mortore familjare.

Kjo ngjarje e rëndë, ka ngritur në këmbë strukturat shtetërore, që kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje. Të parët kanë mbërritur deputetët e Partisë Demokratike, Flamur Noka dhe Astrit Patozi, më pas ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, më pas edhe kreu i PD, Lulzim Basha, ish-kreu i PD, Sali Berisha, djali i tij. Më pas atje ka shkuar i gjithë grupi parlamentar i PD , gjithashtu edhe deputetë të PS, si Taulant Balla, Ilir Beqaj, Alfred Peza, por dhe drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit. Nuk ka munguar as kryetari i Kuvendit dhe kryetari i LSI, Ilir Meta apo edhe nënkryetari i LSI, Petrit Vasili.

Në vendngjarje edhe bashkëshortja e Sokol Olldashit, e cila ka pësuar një tronditje tepër të madhe kur ka mësuar lajmin. Ajo shoqërohej nga deputetja e PD, Mesila Doda, e cila më parë përpiqej t'i fshihte të vërtetën, duke i thënë se "Sokolin po e çojnë në spital".

Trupi i Olldashit më pas është çuar në morg, ku kanë qenë dhe figura të shumta politike, miq të tij, të njohur të tij, mes tyre dhe  Lulzim Basha, Edi Paloka, Gerti Bogdani, Ilir Beqja etj.

Familja e Olldashit ka hapur dyert e zisë në apartamentin në rrugën e Elbasanit, përballë Ambasadës amerikane.

makina e aksidentuar e olldashit
(Në foto: Automjeti i aksidentuar i të ndjerit Sokol Olldashi dhe ekspertet në vendngjarje)

SHUHET ZERI KUNDER NE PD
Një grup hetimor po punon për shkaqet e aksidentit ndërsa pritet dhe ekspertiza mjeko-ligjore. Deputeti i Partisë Demokratike që prej 2001 ka mbajtur dhe dy poste ministrore në qeverisjen e djathtë, atë të ministrit të Brendshëm dhe ministrit të Transporteve. I ardhur nga gazetaria, Olldashi hyri që herët në politikë, përmes strukturave të PD, për të qënë një ndër zërat më të fuqishëm në këtë parti, një polemist shumë i zoti dhe një zë ndryshe dhe në Partinë Demokratike në të cilën ai u rrit si politikan. Kush ishte Sokol Olldashi

10:15 PD: SOKOLI DO NA MUNGOJË TË GJITHËVE
Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur mbrëmë në aksin rrugor Tiranë-Elbasan, ku humbi jetën në një aksident tragjik deputeti i PD, Sokol Olldashi, vjen edhe deklarata e Partisë Demokratike.

Në këtë deklaratë i gjithë grupi i PD shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të deputetit Olldashi. PD: Sokoli do na mungojëtë gjithëve

KUVENDI ANULON SEANCEN PARLAMENTARE
Për shkak të humbjes së jetës së deputetit Sokol Olldashi Kuvendi i Shqipërisë njofton se seanca plenare e parashikuar për sot shtyhet për javën e ardhshme. Lajmin për mediat e bën të ditur zyra e shtypit të Kuvendit.

MERO BAZE: SHPEJTËSIA DHE RREZIKU I JEPTE ADRENALINË
"Nuk e përfillte rrezikun deri në atë shkallë sa krijonte mitin e njeriut të fortë dhe të pamposhtur. Kam plot episode grindjeje nga jeta ime e përbashkët me të, që nisnin dhe mbaronin me faktin, se ai donte të ishte në timon.  Adrenalina që i jepte shpejtësia dhe rreziku ishin arsye pse ai eci aq shpejt", shkruan ndër të tjkera Mero Baze në një editorial kushtuar Sokol Olldashit tek Tema. 

ORA 04:45 TRUPI I PAJETE I OLLDASHIT MBERRIN TEK FAMILJARET
Pas përfundimit të ekspertizës mjeko-ligjore në morgun e QSUT trupi i pajetë i të ndjerit Olldashi transportohet tek familjarët.

ORA 02:35 CEREMONIA MORTORE NË ORËN 14:00
Ceremonia mortore në nder të deputetit Sokol Olldashi do të zhvillohet në orën 14:00. Ngushëllimet në nder të Olldashit do të hapen në orën 11:00 të mëngjesit në ambientet e Kuvendit të Shqipërisë.

ORA 01:45 - MBËRRIN BERISHA, SHOQËROHET NGA SHKËLZENI DHE NOKA
Rreth orës 01:45 të natës ka mbërritur edhe ish-kryeministri Berisha, shoqëruar nga i biri i tij, Shkëlzen Berisha dhe ish-ministri i Rendit, Flamur Noka

ORA 01:40 - TRANSPORTOHET TRUPI  NGA MORGU
Trupi i të ndjerit, Sokol Olldashi është transportuar nga morgu drejt në agjencie funerale, ku ndoshta do të bëhet përgatitja formale e trupit të tij. Më pas ai do të niset drejt banesës po me automjetin funeral. Në dalje nga morgu, trupi është shoqëruar nga një kortezh funeral.

01:25 MESAZHI I OLLDASHIT NE FB: AKSIDENTET, KUSH I KA FAJET
Guximi i Olldashit u shpërblye shpeshherë, por në fund duket se ironia e fatit bëri që të ishte viktimë e duarve të tij pavarësisht se vetëm pak ditë më parë vetë me gojën e tij tha se, “nuk jam i prirur të fajësoj qeverinë për çdo aksident”. “Pashë pak lajmet. Makina përplas dy fëmijë në Tiranë, Makina del nga rruga në Shkodër, etj.etj. Personalisht nuk jam i prirur të fajësoj qeverinë për çdo aksident, por duke u rikthyer vetëm pak jave prapa në kujtesë, mendoj se qeveria e sotme na detyrohet një ndjesë. Nuk kishte ditë të mos dilte Saimir Tahiri të fajësonte qeverinë dhe Ministrinë e Brendshme për çdo aksident që ndodhte. Ku është tani?! A e mendon njësoj se fajtorë për çdo aksident është qeveria???!!!”, shkruhet në profilin e Sokol Olldashit në Facebook, në datë 28 tetor 2013.

ORA 01:15 - MBËRRIN MAKINA E FUNERALIT
Ka mbërritur makina e funeralit, e cila do të bëjë të mundur trasportimin e trupit të Olldashit nga morgu drejt shtëpisë. Trupi i Olldashit ka qëndruar rreth 02:05 orë në morg, ku i është bërë edhe ekspertiza ligjore.

ORA 01:15 - NISIN NGUSHËLLIMET NË SHTËPINË E OLLDASHIT
Nga morgu, miqtë dhe kolegët më të ngushtë të Olldashit janë zhvendosur te banesa e tij. Ndër të parët ka mbërritur kreu i PD, Lulzim Basha bashkë me kreun e grupit parlamentar të PD, Edi Paloka. Më pas deputetët e PD, Genc Ruli, Jozefina Topalli, Ridvan Bode.

sokol olldashi fb
Në foto: Ngushëllimet e bëra nga qindra qytetarë në faqen e Sokol Olldashit në Facebook)

ORA 01: 10, PEZA: KOLI, DO NA MUNGOSH TË GJITHËVE
“Sapo u ktheva nga morgu i Tiranës. Jeta është e padrejtë shpeshherë. Si edhe në këtë rast. Lamtumirë miku ynë, Sokol Olldashi! Do na mungosh të gjithëve”, shkruan deputeti socialist, Alfred Peza në profilin e tij në Facebook.

ORA 01:00 BOGDANI: NJË LAJM I TMERRSHËM
Mesazhe të shumta janë drejtuar familjes Olldashi, pas humbjes tragjike të deputetit, Sokol Olldashi. Mijëra qytetarë kanë ngushëlluar familjen nëpër rrjetet sociale dhe mes tyre nuk kanë munguar as miqtë dhe kolegët ish-ministrit. “Një lajm i tmerrshëm dhe fatkeq, që sikurse shkreptima e natës kur vjen prishi qetësinë e familjes, miqve, atyre që e kanë njohur apo jo!!! Një humbje jashtëzakonisht e rëndë për familjen, miqtë, shoqërinë dhe politikën shqiptare!!! Lutjet e shkojnë për shpirtin e tij që të prehet në paqe dhe për familjen që Zoti t'i japë forcë në momentin më të vështirë të jetës së tyre!!! R.I.P. MIK!!!”, shkruan Gerti Bogdani në Facebook.

ORA 12:00 - SPIROPALI: LUTEM QË OLLDASHI TË MBIJETOJË
"Lutem që mrekullia të ndodhë dhe Sokol Olldashi t'i mbijetojë aksidentit fatal. Trishtim i madh, humbje e rëndë!", shkruan eksponentja e PS, drejtoresha e Doganave, Elisa Spiropali.


Redaksia Online
(mag/a.c./shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Aktivitetet kulturore/ Drama ‘Nepërkat’ në Teatrit Metropol, shfaqja ‘Fausti’ vjen tek ArTurbina! Çelet nesër ekspozita ‘Balona’

Aktivitetet kulturore/ Drama ‘Nepërkat’ në Teatrit Metropol, shfaqja ‘Fausti’ vjen tek ArTurbina! Çelet nesër ekspozita ‘Balona’