Një aksident tragjik rrugor ka tronditur mbrëmjen e së dielës zonën e Drashovicës, në aksin Vlorë–Kotë, duke lënë pas tre viktima dhe duke rikthyer në vëmendje rrezikshmërinë e këtij segmenti rrugor.
Ngjarja e rëndë ndodhi përgjatë rrugës së lumit të Vlorës, te “Ura e Vodicës”, një aks i frekuentuar nga drejtuesit e mjeteve, ku sipas të dhënave paraprake, dy automjete janë përplasur kokë më kokë.
Përplasja ka qenë e fuqishme, duke shkaktuar dëmtime të rënda në të dy automjetet, të cilat u shkatërruan pothuajse plotësisht në pjesën ballore.
Si pasojë e goditjes, dy drejtuesit e mjeteve, Adi Alushaj, 28 vjeç, dhe Esat Brahimaj, 51 vjeç, kanë humbur jetën në vendngjarje. Sipas burimeve, përplasja ka qenë fatale dhe nuk ka lënë mundësi reagimi për drejtuesit e mjeteve.
Ndërkohë, pasagjeri në një prej automjeteve, Andrea Begaj, është nxjerrë nga mjeti në gjendje kritike dhe është transportuar me urgjencë drejt spitalit, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, 46-vjeçari nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë vetëm pak orë më pas, duke e çuar në tre numrin e viktimave nga ky aksident i rëndë.
Menjëherë pas aksidentit, në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë, shërbimet zjarrfikëse dhe ambulancat, të cilat kanë punuar për nxjerrjen e personave nga automjetet dhe për dhënien e ndihmës së parë. Zona është rrethuar për disa orë, ndërsa qarkullimi është bllokuar përkohësisht për të lejuar ndërhyrjen e shërbimeve emergjente dhe kryerjen e veprimeve hetimore.
Grupi hetimor ka nisur menjëherë punën për të zbardhur dinamikën e plotë të aksidentit. Paraprakisht dyshohet se përplasja kokë më kokë mund të ketë ardhur si pasojë e shpejtësisë së lartë, një parakalimi të gabuar apo humbjes së kontrollit të njërit prej mjeteve, por këto mbeten për t’u konfirmuar nga hetimet zyrtare.
Ky aksident i rëndë rikthen edhe një herë vëmendjen te siguria në rrugët kombëtare, sidomos në segmentet jashtë zonave urbane, ku mungesa e ndriçimit, sinjalistika e pamjaftueshme dhe shpejtësia e lartë bëhen faktorë të rrezikshëm për drejtuesit e mjeteve.
"Më datë 22.03.2026, rreth orës 20:55, në aksin rrugor Vlorë–Kotë, në vendin e quajtur “Ura e Vodicës”, janë përfshirë në një aksident rrugor dy automjete me drejtues shtetasit A. A., 28 vjeç dhe E. B., 51 vjeç, të dy banues në Vlorë. Si pasojë e përplasjes, të dy drejtuesit e mjeteve humbën jetën në vendngjarje, ndërsa më vonë ndërroi jetë në Spital edhe pasagjeri që ndodhej në automjetin që drejtohej nga shtetasi E. B., shtetasi A. B., 46 vjeç, banues në Vlorë", informoi këtë të hënë policia.
Disa orë pas aksidentit në të cilin humbën jetën tre persona, Report Tv rikthehet në vendin e ngjarjes. Prej aksidentit të rëndë që ndodhi në aksin Vlorë-Kotë mbrëmjen e së dielës, edhe përgjatë kësaj të hëne, shenjat janë tepër të dallueshme.
Përplasja ka qenë tepër e fortë, aq shumë sa pjesët e automjeteve kanë përfunduar kudo në segmentin rrugor. Madje, targa e mjetit Benz nga goditja ka përfunduar në anën tjetër të trafikndarëses, ndërsa edhe pjesë nga automjeti Ford kanë përfunduar disa metra më larg vendit ku ndodhi përplasja.
Ndërkohë, shenjat janë të dallueshme edhe në segmentin rrugor, aty ku rruga ka marrë në një pjesë të saj ngjyrën e zezë pas përplasjes së mjeteve. Janë shenjat e vajit dhe naftës të dala nga mjeti Benz, ku pjesa para tij ka qenë totalisht e shkatërruar. Në segmentin rrugor shihen edhe shenjat e frenimit të fortë të mjetit Ford që janë ende në rrugë. Jo vetëm kaq, por edhe shenjat e frenimit tregojnë qartësisht se mjeti Ford ka qenë aq i shpejtë sa ka kaluar në anën tjetër të korsisë.
Aksidenti ka ndodhur në një pjesë të drejtë rruge, ku ke mundësi të qarkullosh me shpejtësi të lartë. Ndërkohë që në fund të kësaj rruge vjen një kthesë, ku mendohet se pas frenimit të fortë për të ulur shpejtësinë përpara kthesës, mjeti Ford ka humbur kontrollin duke dalë nga korsia dhe duke goditur më pas Benzin.

Një aksident i rëndë rrugor me pasojë tri viktima ka tronditur Vlorën, ndërsa hetimet paraprake hedhin dyshime mbi shkaqet që çuan në këtë tragjedi.
Sipas informacioneve të para, dyshohet se një nga mjetet, tip “Ford”, ka qenë i pozicionuar gabim në mes të rrugës, duke krijuar rrezik të menjëhershëm për qarkullimin. Ndërkohë, mjeti tjetër, tip “Benz” dyshohet se ka qenë duke lëvizur me shpejtësi mbi normat e lejuara, rreth 110–120 km/h, në një segment ku kufizimi është 80 km/h.
Kombinimi i pozicionimit të gabuar në rrugë dhe tejkalimit të shpejtësisë dyshohet të ketë qenë faktor vendimtar në përplasjen fatale.
Komente









