Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, tha në nisje të komisionit, se Partia Socialiste shumë shpejt do t’i drejtohet Kuvendit me një propozim për ndryshime në Kodin Rrugor, një nismë e marrë pas aksidentit tragjik të ndodhur më 3 maj në Durrës ku ndërruan jetë 2 të mitur.
Ndër të tjera, Manja tha se shoferi Nikoll Radaçi, duhet të marrë dënimin e merituar dhe se nuk meriton të jetë pjesë e shoqërisë.
“Ky komision ka përgjegjësi që këtë ngjarje të rëndë që ka ndodhur ta përkthejë në ndryshime ligjore. Së bashku me disa kolegë të mazhorancë do ti drejtojmë kuvendit shumë shpejt do të propozojnë ndryshime në kodin rrugor dhe atë penal si kundërpërgjigje adekuate të kësaj situatë. Po shohim të gjitha boshllëqet që ka kodi për të bërë ndryshimet e duhura. Autori i kësaj vepre penale gjithçka mund të përfaqësojë, nuk meriton të jetë më mes nesh dhe të marrë ndëshkimin shembullor sipas ligjit”, tha Manja.
Në seancën plenare dje, deputetë të mzhorancës si dhe të opozitës kërkuan forcimin e Kodit Rrugor si dhe atë Penal. Deputeti Erion Braçe tha se ngjarje të tilla duhen konsideruar si vrasje, ndërsa deputetja Ina Zhupa u shpreh se Kuvendi ka dështuar në prodhimin e ligjeve për t’i shërbyer qytetarëve.
Ngjarja e rëndë u regjistrua mesditën e 3 majit në lagjen nr.15 të Durrësit. 3 fëmijë ishin duke luajtur me top në trotuar teksa Radaçi, i cili po ngiste makinën në gjendje të dehur, i mori përpara me shpejtësi skëterrë. 2 prej tyre, Enea Muçaj, 12 vjeç dhe Klersi Nikolli, 10 vjeç ndërruan jetë, ndërsa fëmija tjetër 8 vjeç, arriti të mbijetojë, por me plagë të rënda.










