Profesori italian Michele D’Angelo është i pafajshëm thotë ekipi i avokatëve të tij, për aksidentin ku humbi jetën 17-vjeçari Elidon Shehaj dhe 3 të tjerë u plagosën në 8 gusht 2025 në Qafën e Koshovicës, në Fier.

Ekipi mbrojtës i profesorit të biologjisë në universitetit L’Aquila ka shpërndarë disa pamje të aksidentit duke pretenduar sipas tyre se kthesa që bëri drejtuesi italian i mjetit “Lancia” për t’u futur në restorantin e dasmave, është e lejuar me një vizë e ndërprerë në aksin Levan-Fier. Sipas tyre, shkak i aksidentit është shpejtësia e lartë e mjetit “Benz” me drejtues Egli Sholla ku ndodhej edhe 17-vjeçari, i cili humbi jetën.

“Elementi esencial që mbron profesorin është ekzistenca e një vije të ndërprerë që i mundëson atij të kthehej drejt restorantit. I kemi kërkuar prokurorisë së Fierit që të realizojë këqyrjen dhe provueshmërinë faktit që kjo vijë është e ndërprerë”, tha avokati Ardian Visha.

“Gruaja e profesorit kishte bërë video menjëherë pas aksidentit dhe rruga është e ndërprerë dhe profesori mund të kthehej për t’u futur në restorant. Profesori ishte me 11km/h dhe kishte ndezur sinjalin. Kur papritur vjen makina nga kthesa me 100km/h dhe sipas konsulentëve tonë nëse drejtuesi i mjetit mercedez do respektonte shpejtësinë me 40 km/h nuk do kishte ndodhur ky aksident”, tha avokatja Ilenja Mehili.

Në pamje shihet se mjeti “Benz” është me shpejtësi, por evidentohet po ashtu se kur profesori italian ka mbërritur pranë restorantit ku ishte i ftuar në një dasmë, ai kthehet menjëherë drejt destinacionit, pa pritur dhe siguruar nëse rruga për këtë lëvizje ishte e lirë përballë tij. Pas aksidentit kur policia mbërriti në vendin e ngjarjes, gjeti vetëm mjetin e përplasur dhe shpalli në kërkim shtetasin e huaj, i cili ishte larguar.

“Akuza e dytë është largimi nga vendi i ngjarjes. Profesori dhe bashkëshortja kishin si destinacion restorantin ku ishin të ftuar në një dasmën e një miku të tyre pak metra larg vendit të aksidentit. Dhe ky destinacion pak metra larg aksidentit është vendi ku profesori ka qëndruar 4- 5-orë të tjera pas aksidentit. Mbi atë që ka ndodhur ka kërkuar ndihmë, kur u informua se gjithçka ishte në dorë të policisë, nuk ishte informuar për pasojën e rëndë, qëndrimi i tij në destinacionin fillestar është i ligjshëm”, tha avokati Visha.

Duke kërkuar pafajësinë për klientin e tij, avokati italian thotë se ka besim tek sistemi i drejtësisë shqiptare dhe dënimi mbi prova dhe jo nën shtysë emocionale.

“Kjo nuk është një nismë kundër autoriteteve shqiptare dhe drejtësisë shqiptare. Ne kemi shumë besim që profesor D’Angelo’ do të shpallet i pafajshëm dhe në një vend demokratik ku sundon shtetit i së drejtës siç është Shqipëria, të pafajshmit sipas sistemit juridik shqiptar e fitojmë pafajësinë asnjëherë në shtysën emocionale. Dhe ne jemi besim plotë në drejtësinë shqiptare”, tha avokati Fabio Maria Galiani.

Profesori italian i biologjisë në Universitetin e L’Aquila, Michele D’Angelo akuzohet nga prokuroria e Fierit për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe largim nga vendi i ngjarjes. Pas vetëdorëzimit në polici, profesori italian qëndroi dy muaj në paraburgimin e Fierit. Ai u lirua në tetor 2025 duke paguar një garanci prej 15 mijë euro dhe pas disa komunikimeve në rrugë diplomatike. Por në nëntor të vitit të kaluar, Prokuroria e Fierit riktheu çështjen në gjykatën e Fierit duke kërkuar që profesioni italian i biologjisë të përballet me dy akuza.

 

K.B/I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Or tej: 16/02/2026 19:27

    Nuk ecet me 100km/h kur e ke me 40km/h dhe je ne kthese sepse merr ne qafe veten dhe te tjeret or teeeejjjjj

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 15 Shkurt, 14:59

    Rama firmos ndryshimin ligjor që ndalon GJKKO të pezullojë ministrat, jeni dakord?