Kanë kaluar gati tre javë nga aksidenti tragjik i 10 janarit në fshatin Dars të Klosit, ku humbi jetën 30 vjeçari Jurgen Karaj, ndërkohë që trupi i tij ende nuk është gjetur.

Pavarësisht angazhimit të forcave në terren, kërkimet në lumin Mat janë zhvilluar kryesisht me mjete primitive dhe kontrolle fizike, duke nxjerrë në pah mungesën e pajisjeve teknologjike të specializuara për operacione të tilla.

Ky rast ka tërhequr vëmendjen e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka ndërhyrë personalisht për të mundësuar përfshirjen e Forcave të Sigurisë së Kosovës në operacionin e kërkimit për Karajn. 

Lajmi u konfirmua nga këshilltari i Osmani, Kreshnik Çollaku, i cili tha se presidentja është “investuar në mënyrë energjike” për të autorizuar përfshirjen e FSK-së me personel dhe pajisje të specializuara në ndihmë të autoriteteve shqiptare.

“Në emër të Presidentes, transmetoj ngushëllimet më të ndjera për familjen Karaj dhe solidaritetin e plotë me dhimbjen që po përjeton kjo familje dhe mbarë komuniteti në Klos,” tha Çollaku. “Kosova dhe Shqipëria janë bërë bashkë në këtë dhimbje, dhe shpresojmë që përmes këtij bashkëpunimi të ketë rezultat.”

Ekipi i FSK-së, i përbërë nga 11 efektivë, do të qëndrojë në terren deri në përfundim të kërkimeve. Osmani ka garantuar mbështetje të plotë, duke theksuar se Kosova dhe Shqipëria janë bashkë jo vetëm në festë, por edhe në dhimbje.

Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu, tha se forcat nga Kosova janë të pajisura me dronë nënujor dhe kamera speciale.

Ky nuk është rasti i parë kur Shqipëria kërkon ndihmë nga Kosova për operacione kërkim-shpëtimi. Forca e Sigurisë së Kosovës është angazhuar edhe më herët për situata të ngjashme emergjente, përfshirë rastin e zhdukjes së një të riu në zonën e Klosit gjatë punës në një minierë kromi duke nxjerrë në pah varësinë e përsëritur të Shqipërisë nga kapacitetet e Kosovës për misione kërkim-shpëtimi.

E ndërsa përpjekjet për gjetjen e trupit të 30 vjeccarit vijojnë, Shehu dyshon se trupi mund të jetë zhvendosur drejt liqenit. Sipas tij, në operacionet e kërkimit janë përfshirë edhe 100 persona, por deri tani, gjetja e trupit të të riut ka qenë e pamundur.

 “Prej gati 3 javësh, nga data 10 janar kur ka ndodhur aksidenti këtu në afërsi të qytetit të Klosit, jemi në kërkim të trupit të viktimës. Kanë marrë pjesë punonjësit e bashkisë, zjarrëfikëset, vullnetarë, Policia e Shtetit me forcat speciale, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, po me forcat speciale. Ka pasur ditë që kanë qenë të pranishëm edhe 100 vetë në kërkim. Deri sot është bërë e pamundur. Realisht ato ditë ka pasur shumë ujë rrjedha e Matit. Me kërkesë që është bërë nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes kanë ardhur një skuadër prej 11 vetësh, me mjete speciale. Ato kanë me vete një dron ujor, me kamera speciale që të kontrollojnë. Pasi specialistët mendojnë se trupi mund të ketë lëvizur në liqen. Është hera e dytë që forcat e Kosovës na vijnë në ndihmë në Bashkinë Klos, por ato kanë ardhur sa herë kemi pasur përmbytje, apo për situatën e tërmetit. Janë gjithmonë të gatshëm, u jemi gjithmonë mirënjohës”, tha Shehu.