Rezar Rexhepi është autori i aksidentit fatal të 41-vjeçarit Vasil Hasani, të ndodhur dy ditë më parë në Rrashbull të Durrësit. Babai i tre fëmijëve ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa 38-vjeçari u largua pa e kthyer kokën pas. Report Tv ka siguruar edhe foto të viktimës.

Ai është identifikuar dhe vënë në pranga mbrëmjen e së dielës, me akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit dhe largimit nga vendi i aksidentit.

Policia ka sekuestruar edhe makinën e tij, tip ‘Benz A-Class’, me të cilën aksidentoi për vdekje Hasanin.

Njoftimi i policisë:

Aksidentoi me automjetin që drejtonte një biçiklist, me pasojë vdekjen e tij, dhe u largua nga vendi i ngjarjes, pas 48 orësh, Policia identifikon dhe arreston drejtuesin e automjetit.

Në vijim të njoftimit të datës 21.08.2026, për një aksident rrugor me pasojë vdekjen, në aksin rrugor Rrashbull–Xhafzotaj, Durrës, ku u gjet i pajetë shtetasi V. H., 41 vjeç, banues në Rrashbull, Durrës, ju informojmë se:

Pas një pune intensive hetimore nga strukturat e Qarkullimit të Policisë Rrugore të Durrësit, është bërë e mundur identifikimi i automjetit dhe i autorit të dyshuar të aksidentit.

Në vijim të veprimeve hetimore, u bë arrestimi i shtetasit R. R., 38 vjeç, banues në Sukth, Durrës, si dhe u gjet automjeti tip “Benz A-Class”, me të cilin dyshohet se ka përplasur biçiklistin.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Lajm në përditësim...

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.