Një Italian është vënë në prangat e Policisë, lidhur me skemat e mashtrimit me Call Centera në një nga kullat e Tiranës.

Sipas burimeve mësohet se i arrestuari është italiani Cosimo Notaristefano, i cili është vënë në pranga në Portin e Durrësit, teksa po tentonte të largohej nga vendi.

Kujtojmë se me urdhër të SPAK në aksionin në fjalë u arrestuan në janar 8 persona dhe u shpallën në kërkim 3 të tjerë.

Gjykata e Posaçmne (GJKKO) kishte vendosur edhe për shtetasin italian Cosimo Notaristefano masën e sigurisë ‘arrest me burg’.

Sipas mediave italiane, në qendër të hetimeve në vendin fqinj është Alfonso Vicinanza, një oficer policie nga Salerno, i cili akuzohet për rekrutimin e të rinjve për t'i dërguar në Tiranë për të mashtruar mijëra italianë.

Ndër menaxherët e këtyre Call Centerave mashtrues, që u kthyen në Itali pas operacionit në Shqipëri, thuhet se është Carmine Vicinanza, djali i Alfonso-s.

Për të vjedhur kursimet e mijërave qytetarëve evropianë, sidomos atyre italianë, niste nga këto zyra në kullat në qendër të Tiranës mashtrimi i gjoja investimit online. Sipas hetimeve, nga 20 deri në 30 milionë euro në muaj dyshohet se arrinte të grabiste grupi kriminal.  

Mashtrimi niste me një telefonatë të një gjoja konsulenti të ‘fininvest’ që premton fitime të lehta me një investim minimal prej 250 eurosh.