TIRANE- Ishte e shtuna e katërt rresht që Forcat e Armatosura, në kuadër të shpalljes së emergjencës civile për gjendjen e mjedisit nga Komisioni Ndërministror, janë angazhuar në operacionin për pastrimin e territorit në shkallë vendi. Dje, 1100 trupa dhe mbi 100 mjete të strukturave të FA u përqëndruan përgjatë akseve nacionale Fier-Levan-Tepelenë-Gjirokastër-Kakavijë. Operacioni i efektivëve të ushtrisë për pastrimin e këtyre akseve nacionale është ndjekur nga afër, nga ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjeneralmajor Jeronim Bazo.

Ata janë ndalur në pikën e kalimit kufitar në Kakavijë, ku forca dhe mjete ishin të angazhuar në pastrimin e segmentit rrugor dhe të territorit përreth saj. “Jemi drejt përfundimit të këtij aksioni të madh kombëtar për pastrimin e territorit nga mbetjet”.  Sot(dje) kishim mbështetjen e pushtetit lokal, të Policisë së Shtetit, të institucioneve të tjera e të shoqërisë civile”, tha Kodheli. Në këtë kontekst, në mënyrë të veçantë, ministrja ka falenderuar median e opinionistët për “mbështetjen që kanë dhënë gjatë këtyre ditëve për sensibilizimin e asaj që ne kemi dashur të arrijmë në përfundim të këtij aksioni: që Shqipëria, vendi ynë të jetë më e pastër”.

Ajo falënderoi 1100 trupat e FA-së që janë bërë pjesë e këtij aksioni duke bërë të mundur pastrimin e 127 km rrugë e transportimin me mjetet e ushtrisë të mbetjeve të nxjerra për në vendgrumbullimin e tyre. “Ky vend ka nevojë për projekte, por edhe për të forcuar më shumë sanksionet dhe frymën qortuese, për ngritjen e opinionit dhe  të aksionit të gjithësecilit prej nesh”, tha Kodheli. Ajo është ndalur edhe në segmentin pranë Ujit të Ftohtë në Tepelenë, ku situata ishte mjaft problematike dhe ka inkurajuar forcat e angazhuara për evitimin e kësaj gjendje.

Shkrimi u publikua sot (02.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)