Deputeti opozitar, Erald Kapri kërkoi dorëhqjen e kryepolicit Skënder Hita, duke e akuzuar se policia ka ushtruar dhunë gjatë protestave. Në dëgjesën për buxhetin në Komisionin për Çështjet e Brendshme, Kapri kërkoi të dinte kush e urdhëroi dislokimin e efektivëve të armatosur të RENEA-s rreth Kryeministrisë dhe nëse hetimet për dhunën e pretenduar të policëve ndaj protestuesve po shkojnë deri te zinxhiri komandues. “Ju nuk jeni drejtori i policisë së Ramës”, i tha Kapri Hitajt.
“Ju nënvizuat fjalën ‘pajisje’, duke evidentuar se policia do të ketë makina, pajisje të reja, armë të tipit ‘shotgun’ dhe pistoleta elektrike. Në menaxhimin e protestës është vënë re përdorimi i disa pajisjeve të reja, përfshirë katër botet e ujit dhe dronët mbi kokat e protestuesve, ku u hodhën edhe bomba me gaz. Sa keni shpenzuar për blerjen e këtyre pajisjeve? A janë dhuruar? Nëse po, nga kush?
Cilët janë hapat konkretë që keni ndërmarrë për aktet e dhunës nga efektivët ndaj protestuesve? A po shkojnë hetimet deri te zinxhiri komandues? Ku jeni mbështetur në ligjin shqiptar dhe në konventa kur, pasi tentoni të neutralizoni elementët e dhunshëm në protestë, policia sulet për të shpërndarë protestuesit, duke angazhuar efektivë dhe mjete të paidentifikuara? Në 62 raste, gjykata ka thënë se arrestimet kanë qenë të paligjshme. Kush e dha urdhrin që RENEA të dilte në terren me armë dhe të rrethonte Kryeministrinë?
Policia ka detyrë të mbajë rendin kushtetues. Është e mirëpajisur dhe përdorimi i forcës duhet të jetë gjithmonë proporcional. E ka për detyrë të thyejë vijën e parë të dhunshme, sepse mbron rendin kushtetues. Por çfarë ka policia me dhjetëra mijë të tjerë, që i gjurmon nëpër rrugë, i rreh dhe i çon nëpër komisariate? Më gjeni një manual në vendet perëndimore që parashikon përdorimin e kësaj dhune policore.
Ju nuk jeni drejtori i policisë së Ramës. Keni mbi supe një përgjegjësi shumë të madhe. Keni për detyrë të mbroni institucionet, por duhet të kuptoni edhe revoltën e të rinjve. Ju nuk mund t’u lëshoheni me makina pa targa dhe me oficerë që rrahin të rinjtë. Unë kërkoj dorëheqjen tuaj”, tha Kapri.
Lajmi kryesor:
Protestat/ Opozita i kërkon dorëheqjen, Hita nxjerr fotot e policëve të dëmtuar: Breshëri gurësh ndaj tyre, zero lekë nga buxheti për mjetet speciale









