Ambasada e Kosovës në Berlin është shënjestruar me mbishkrime fyese. Në ambientet e jashtme të objektit diplomatik janë ngjitur etiketa me slogane nacionaliste në serbisht, mes tyre “Nuk ka dorëzim” dhe “Kosova është Serbi”.
Mbishkrimet janë vendosur mbi pllakatin identifikues të ambasadës dhe përmbajnë mesazhe me përmbajtje shoviniste e nxitëse. Rasti u identifikua dhe menjëherë u njoftuan autoritetet gjermane.
Nga Prishtina reaguan duke e quajtur akt të papranueshëm dhe në kundërshtim me normat ndërkombëtare që mbrojnë misionet diplomatike.
"Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dënon fuqishëm çdo akt vandalizmi, gjuhë urrejtjeje dhe çdo përpjekje për të cenuar përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës. Veprime të tilla janë të papranueshme dhe bien ndesh me normat dhe konventat ndërkombëtare që garantojnë paprekshmërinë e misioneve diplomatike si dhe dëmtojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit ndërmjet shteteve. Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj promovimit të paqes, dialogut, bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të mira ndërkombëtare, duke vazhduar të ushtrojë misionin e saj diplomatik në përputhje të plotë me parimet dhe standardet ndërkombëtare" thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.
Termat dhe narrativët fyes ndaj shqiptarëve të Kosovës janë përdorur shpesh në diskursin publik në Serbi, përfshirë edhe nga zyrtarë të lartë. Në mars të vitit të kaluar, gjatë një debati në Kuvendin e Serbisë, kryeparlamentarja Ana Bërnabiq përdori terma fyes ndaj mediave nga Kosova, edhe pse një vendim gjykate në Serbi e ka shpallur termin “shiptar” si ofendues dhe politikisht jokorrekt.
Narrativa të tilla të ashpra janë përdorur vazhdimisht edhe nga Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, me akuza për “persekutim” apo “terror ndaj serbëve”. Sipas organizatave vendore të sigurisë, të cilave u referohet Radio Europa e Lirë, raste të tilla shpesh shoqërohen me përhapje dezinformatash dhe mesazhesh përçarëse, sidomos në platforma si Telegram.
Komente











