Çdo lek i pashpenzuar do të shkojë në llogarinë e hapur në Bankën e Shqipërisë për të mbështetur skemën e pensioneve. Ky është ndryshimi kryesor që pësoi buxheti i vitit 2025, e që këtë të martë u shqyrtua në seancë plenare.

“Ne synojmë transferimin e të gjitha fondeve të buxhetit 2025 të cilat nuk janë përdorur nga ministritë apo institucionet buxhetore të transferohen në llogarinë e mbështetjes së pensionistëve pranë Bankës së Shqipërisë. Këto fonde do të përdoren me vendim të Këshillit të Ministrave. Shuma që minimalisht dhe nënvizojmë minimalisht do të kalojë në këtë llogari është rreth 150 milionë euro”, tha ministri Malaj.

Por në fakt i njëjti propozim u bë në dhjetor nga socialisti Erion Braçe teksa diskutohej buxheti i këtij viti, por që u rrëzua nga vetë mazhoranca.

“Të njëjtat argumente që sot na jep qeveria para një muaj a dy muaj, na i dha një koleg i mazhorancës dhe ju në rresht e votuat kundër të njëjtën gjë. Sot vini na e shisni sikur jeni kujtuar dhe se çfarë po bëni edhe se ku çfarë keni arritur”, tha Bardhi.

“Si të votojë sot kryetar? Se është propozimi im ky i votuar kundër vetëm pak ditë më përpara”, pyet Braçe.

“Sa i përket aktit normativ të cilin po shqyrtojmë, besoj që e dimë të gjithë. Akti normativ nuk mund të ndryshohet dot sot”, përgjigjet Balla.

“Nuk kam kërkuar, s'kam bërë amendament për të ndryshuar aktin. Thashë që amendamenti që u rrëzua me votë katër javë më përpara, pesë javë më përpara, është sjellë nga qeveria me akt. Kaq dhe pyeta si duhet të votoj unë. Atëherë votova pro. Të gjithë votuan kundër. Sot çfarë duhet të bëj? Të votoj kundër”, shprehet Braçe.

Duke qenë se pritshmëritë janë që fondet e pashpenzuara nga institucionet në 2025-ën të jenë në vlerën 30 miliardë lekë (300 mln euro), Braçe kërkoi që ato të përdoren gjysma për të dëmshpërblyer fermerët, por mori përgjigje negative nga Ministri i Financave.

“Në qoftë se nga 30 miliard le që mbeten pa shpenzuar, 15 miliard le do të shkojnë në llogarinë në Bankën e Shqipërisë për pensionet, 15 të tjera përdoren për të shlyer bujqit”, tha Braçe.

“Nëse janë 30 miliardë pa shpenzuar, të gjitha do shkojnë për pensionet”, tha Malaj.

Socialistë e demokratë kërkuan me ngulm në seancë të garantohet dëmshpërblimi për bujqit pasi humbjet janë të mëdha.

“Duhet të ishin programuar në mbështetje të fermerëve minimalisht qytetarëve të gjithë Shqipërisë të përmbytur nga dy përmbytje shumë të mëdha për t'i mbështetur ato sadopak në përmbytjet e njëpasnjëshme që kanë lënë dhjetëra mijëra fermerë dhe banorë me dëme vërtetë shumë të rënda”, tha Eno Bozdo.

“Kosto bime dhe kosto plehërimi të parë kushton 1.200.000 lekë një dynymi, për 1 hektar shkon 12 milionë dhe e mbjell nga dy herë shkon 24 milionë lekë që është dëmi që i është bërë një fermeri që ka 1 hektar serë dhe që natyrisht duhet të paguhet plotësisht”, tha Braçe.

Përmes këtij akti normativ të miratuar nga qeveria më 19 dhjetor të 2025 u rishpërndanë në total 30 miliardë lekë, ku për bujqësinë u shtuan vetëm 2 miliardë lekë në mënyrë që të paguhen fermerët përfitues nga skemat kombëtare. Gjithashtu u dha shpërblimi i fundvitit për familjet me ndihmë ekonomike dhe ato me aftësi të kufizuara.

Ndërsa shëndetësia mori shtesë 1.8 miliardë lekë për furnizimin e spitaleve me medikamente, si dhe 1.2 miliardë lekë ju transferuan pushtetit vendor për të shlyer detyrimet e papaguara.

Njëkohësisht u alokuan 1.3 miliardë lekë për kompensimin ushqimor, orët shtesë dhe dietat për policinë e shtetit. Transporti rrugor mori rritje financimi 5.8 miliardë lekë, si dhe 4 miliardë lekë shkuan për Albcontrol, për shkak të vështirësive të funksionimit pas bllokimit të llogarive.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:20
“Do mbështesim sportin e Padelit”- Braçe debat me Klosin në Kuvend: Politikat buxhetore s’bëhen sipas dëshirës së një ministri! Futbolli sot po jep shpirt, ju thoni Padeli

 

Deputetët e Partisë Socialiste, Blendi Klosi dhe Erion Braçe, kanë debatuar ditën e sotme në Kuvendin e Shqipërisë, lidhur me një plan të qeverisë për t’i dhënë prioritet fuqizimit të sportit të Padelit në Shqipëri.

Klosi tha se ky sport, që sipas një pjese të madhe të deputetëve shihet si një sport luksi, mund të ndihmojë në rritjen e imazhit të Shqipërisë dhe të ofertës turistike për vendin tonë.

“Fatkeqësisht opozita tregon sesa larg është realiteti. Se diskutimet e tyre flasin për histori që nuk kanë asnjë lidhje për mënyrën sesi menaxhohet buxheti i shtetit dhe me mënyrën sesi sot Shqipëria zhvillohet. Janë shumë larg diskutimit të një vendi kandidat për anëtar të BE-së. Ajo që lexojmë sot nga ky akt normativ, është qartazi ajo që PS ka në gjenezën e saj, shteti nuk braktis askënd dhe njëkohësisht ruan stabilitetin ekonomik dhe disiplinën fiskale. Ky akt nuk rrit deficitin, nuk rrit borxhin, nuk cënon të ardhurat, përkundrazi, ai bazohet në kursimet reale të krijuara nga menaxhimi i kujdesshëm i financave publike dhe dëshmon dallimin tonë të madh. Kjo dëshmon dallimin tonë të madh që ne nuk premtojmë pa mbulim, nuk shpërndajmë iluzione, por shpërndajmë mundësi reale dhe mbështetje konkrete.

Në këtë paketë konkretisht ata që kanë më shumë nevojë për mbështetjen e shtetit, gjejnë mbështetje me aktet normative dhe me pjesën e menaxhuar të buxhetit, në mënyrë korrekte brenda mundësive që Shqipëria të ofron. Mbi 148 mijë qytetarë, përfitues të ndihmës ekonomike dhe personave me aftësi të kufizuar, marrin një ndihmesë të drejtëpërdrejtë nga ky projekt-akt. PS nuk e shikon sportin thjeshtë si një mbështetje vetëm për realizimin e atij aktiviteti, por si një aktivitet politik që rrit imazhin e Shqipërisë dhe prezencëne saj në arenën ndërkombëtare. Më konkretisht sporti i Padelit, që jo vetëm për kolegët e opozitës, por edhe për ata të mazhorancës, quhet si një luks, por nuk është fare kështu. Ai është një nga sportet me rritjen më të madhe sot në botë. Nuk është thjesht një aktivitet, por një pozicionim i qartë. Nuk kërkon infrastrukturë të shtrenjtë si sportet tradicionale. Por është një sport që padyshim që ashtu siç kemi edhe dakordëinë me Federatën për ndërtimin e ambienteve të reja, krijimin e qendrave të ekselencës dhe trajnimin e të rinjve. Nëse Shqipëria futet në këtë mbështetje, ajo pozicionohet në hartën e sporteve moderne, rrit imazhin e vet dhe rrit ofertën turistike”, tha mes të tjerash Klosi.

Por Braçe ishte kundër këtyre planeve të qeverisë, duke theksuar se 2.2 milionë euro për kuota pjesëmarrjeje në aktivitete, janë shumë para, të cilat sipas tij mund të investoheshin diku tjetër.

Po ashtu Braçe theksoi se nëse ka një sport që sot është në ditët e tij më të këqija, ai është Futbolli, sport i cili sipas tij po jep shpirt.

“Unë mendoj që jemi në seancën e aktit normativ dhe kur flasim për para publike duhet të kemi parasysh një gjë, që politikat buxhetore sektoriale nuk bëhen sipas dëshirës apo afeksionit që secili ministër, deputet e me radhë ka. Në këtë akt normativ nuk janë para për të mbështetur sportin e Padelit. Këto para janë për kuota pjesëmarrjeje në aktivitete. 2.2 milionë euro për kuota, më vjen keq por janë shumë para. Po të flasim për sporte moderne, më lejoni t’ju them se Superliga po mbahet nga disa Presidentë me lekët e tyre. Futbolli është një nga sportet që po jep shpirt në këtë vend. Pastaj një pjesë e aktivitetit të Futbollit po mbahet edhe me para pa destinacion. Prandaj nëse do mbështesim, hajde mbështesim këtë sportin masiv në Shqipëri, jo sipas dëshirës së një ministri”, tha Braçe.

Ora 12:37
‘Përplasje’ mes socialistëve për aktin normativ për buxhetin 2025/ Braçe pyet Ballën: Kryetar, si të votoj, pro apo kundër? Propozimin tim e rrëzuat (VIDEO)

Dy deputetët socialistë, Erion Braçe dhe Taulant Balla janë përfshirë në replika në seancën plenare në Kuvend, sa i takon aktit normativ për rishpërndarjen e buxhetit 2025. Përmes këtij akti, qeveria parashikon që çdo se çdo lek që nuk është shpenzuar nga institucionet gjatë vitit të kaluar, do të kalojë në llogarinë e pensioneve.

Ky akt normativ duket se ka ‘irrituar’ Braçen, i cili pak javë më parë kishte bërë të njëjtën propozim për buxhetin 2026 përmes një amendimi, ku kërkonte që çdo leke i pashpenzuar të shkonte për pensionet. Por propozimi i Braçes u rrëzua nga mazhoranca dhe sot Braçe pyeti kreun e grupit të PS se si duhet të votojë, pro apo kundër?

Erion Braçe: Siç ju thash është tejkaluar plani i të ardhurave nga sigurimet dhe këto para që shkojnë tek pensionistët bëjnë mirë dhe do ishte mirë të shkonin atje. Si të votoj sot kryetar? Se është propozimi im i votuar kundër pak ditë më parë..

Taulant Balla: Jam dakord me shqetësimet që ngrihen për tu gjendur pranë banorëve, bujqve të prekur nga fenomenet natyrore, jam informuar se pushtet vendor dhe qeveria po bëjnë vlerësimin në territor ë lëtyre dëmeve, si përket aktit normativ që po shqyrtojmë, akti normativ nuk mund të ndryshohet dot sot, ai ose miratohet, ose rrëzohet.

Erion Braçe:Nuk kërkova ndryshim akti, thashë që amendamenti që u rrëzua me votë 5 javë më parë, është sjellë nga qeveria me akt. Dhe pyeta si duhet të votoj unë atëherë votava pro, të gjithë kundër, sot ca duhet të bëj, të votoj kundër?

Petrit Malaj: Nëse do jenë 30 mld të pashpenzuar, do kalojë 30 mld pranë llogarisë së pensioneve.

Ora 12:05
‘Edhe njëherë që dua ta lavdëroj nuk është në sallë’, Braçe ‘zbut’ tonet me ministrin e Bujqësisë: Më vjen mirë që fondi është realizuar 100%

 

Deputeti socialist, Erion Braçe foli në Kuvend për aktin normativ për rishpërndarjen e buxhetit 2025. Braçe tha se ku akt normativ meriton lëvdim sa i takon shpërblimit të dhënë për shtresat në nevojë veçanërisht ata me ndihmë ekonomike dhe aftësi ndryshe.

“Ekonomia vazhdon të zgjerohet dhe viti 2025 shënon zgjerim të rëndësishëm 3.5%, 3.9% pret ministri, ndërkohë që inflacioni mbetet në nivele të ulëta, ndërkohë që eksportet vazhdojnë të rriten. Rezerva e vetme që unë kam është bujqësia që vazhdon të numërojë vitin e disatë me rënie dhe sektori tjetër që është sektori jetik që ka të bëjë me industrinë që shënon rënie. Ka të meta që kërcasin në këtë akt normativ. Akti meriton lëvdim sa i takon shpërblimit të dhënë për shtresat në nevojë veçanërisht ata me ndihmë ekonomike dhe aftësi ndryshe. Nëse për realizimin e të ardhurave është evidente fakti që po mblidhen më shumë të ardhura, në krahun e shpenzime publike vazhdojmë të kemi mosrealizime”, tha Braçe.

Braçe u ndal edhe tek sektori i bujqësisë, kur tha se edhe njëherë që donte të lavdëronte ministrin e Bujqësisë Andis Salla, ai nuk ishte në sallë. Braçe tha se i vjen mirë që janë shtyar paratë nëbujqësi, ndërsa kërkoi dëmshpërblimin për dëmet nga përmbytjet.  

“Edhe njëherë që dua ta lavdëroj ministri i bujqësisë nuk  është. Më vjen mirë që paratë janë shtuar në bujqësi, fondi është realizuar 100%. Nga thesari ka shkuar në bankë, janë pagesa që nga banka duhet të shkojnë në xhepat e qytetarëve, por ama ajo që më shqetëson ka të bëjë me faktin që kanë ndodhur fatkeqësi të mëdha natyrore dhe bujqësia ka marrë goditje të konsiderueshme. Goditje për bujqësinë erdhi në verë në dy zona të rënd, Gramshi dhe Delvina, dhe duhet të paguajmë për to. Përmbytjet e kombinuara me ngrica nëntor dhe janar kanë goditur Shkodrën, Obotin për të vazhduar në Zadrimë Durrës”, tha Braçe.

Përgjigje mori nga Taulant Balla i cili tha se grupet e qeverisë dhe pushtetit vendor janë në terren për evidentimin e dëmeve.

Ora 11:51
“Fermerët janë lënë me sytë nga qielli”- Bozdo në Kuvend: Aktet normative përdoren për shpenzime qeveritare, jo për kompensimin e dëmeve nga përmbytjet

 

Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, është shprehur se qeveria ka treguar se nuk është e aftë të menaxhojë financat publike dhe të çojë paratë e shqiptarëve në drejtimin e duhur.

Komentet Bozdo i bëri nga foltorja e Kuvendit, ku kritikoi mënyrën e menaxhimit të situatës së përmbytjeve të fundit në vend.

Bozdo shtoi se përmbytjet erdhën jo vetëm për shkak të reshjeve të dendura të shiut, por edhe për shkak të mos-pastrimit të kanaleve kulluese dhe mos-menaxhimit të duhur të shkarkimeve të ujërave nga HEC-et në vend.

“Në paraqitjen e aktit të 11 normativ, është e tepërt të flitet për disiplinë fiskale. Aktet normative në fakt janë e kundërta e disiplinës fiskale. Janë mundësitë e korrigjimit që Qeveria i bën vetvetes. Dhe këtë e ka bërë jo pak herë gjatë vitit të kaluar, duke treguar se nuk është e aftë fare të menaxhojë financat publike dhe aq më tepër t’i çojë paratë e shqiptarëve në drejtimet e duhura. Në aktin e fundit normativ nuk janë pak, por 54 milionë euro të kategorizuara si shpenzime qeveritare dhe 40 milionë euro të akorduara për Albkontrollin. Për të përballuar pagesën prej 120 milionë euro që qeveria shqiptare, Edi Rama personalisht i detyrohet Begetit. Para këto që duke parë emergjencat e fundit të vitit 2025 dhe ato të fillimit të vitit 2026, duhet të ishin programuar në mbështetje të fermerëve minimalisht, qytetarëve të gjithë Shqipërisë të përmbytur nga dy përmbytje shumë të mëdha, për t’i mbështetur ata sadopak.

Në përmbytje e parë, atë të nëntorit të vitit të kaluar, mijëra hektarë tokë bujqësore, sera, fusha të mbjella, u përmbytën jo nga fakti i rreshjeve, por nga fakti se pushteti vendor dhe ai qëndror nuk ishin kujdesur për kanalet kulluese. Janë me dhjetëra milionë euro të dhëna dhe investuara në këtë sistem, i cili në fund të ditës rezulton se ose nuk ekziston ose nuk është pastruar fare dhe paratë nuk dihet se ku kanë vajtur.

Në përmbytjen e dytë pati një intensitet më të madh të përmbytjeve. Kjo sepse edhe se administratorët e HEC-it të Banjës i hapën portat shkarkuese pa paralajmëruar dhe qytetarët nuk morën vesh asgjë, por brenda natës e panë veten të përmbytur. Të nisë një hetim për përgjegjësit. Fermerët janë lënë me sytë nga qielli. Ky fakt ka sjellë braktisjen e madhe të fshatit dhe rënien pikiatë të prodhimit bujqësor. Sot për shkak të këtyre politikave, Shqipëria po kthehet me shpejtësi në një vend importues të gjithçkaje. Ne nuk prodhojmë më, por jemi vetëm konsumues“, tha mes të tjerash Bozdo.

Ora 11:05
Buxheti 2025/ Çdo lekë i pashpenzuar nga institucionet do kalojë në llogarinë e pensioneve, Malaj: Akti normativ mbështet shtresat më në nevojë

Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka prezantuar ditën e sotme në Kuvend detaje nga akti i ri normativ për ndryshime në ligjin e Buxhatit të vitit 2025, i cili kërkon edhe votimin në Parlament. Malaj është shprehur se ky akt normativ adreson nevojën e mbështetjes së shtresave në nevojë, siç janë familjet me ndihmë ekonomike dhe mbështetjen e personave me aftësi të kufizuar. Malaj tha nga foltorja e Kuvendit se çdo lek që nuk është shpenzuar nga institucionet gjatë vitit të kaluar, do të kalojë në llogarinë e pensioneve.

“Me këtë akt normativ siguruam mbështetjen e shtresave më në nevojë, siç janë familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike, apo personat me aftësi të kufizuar, si dhe kujdestarët e tyre. Si dhe paralelisht me këtë, kemi garantuar edhe fondet e nevojshme për skemën e pensioneve.  Përmes fondeve të dedikuara kemi synuar jo vetëm ruajtjen, por edhe rritjen graduale të mbështetjes sociale, duke iu përgjigjur nevojave reale të qytetarëve shqiptarë. Për vitin 2025, mbështetja buxhetore për familjet që kanë përfituar ndihmë ekonomike, si dhe për personat me aftësi të kufizuar, arrin në vlerën 25.6 miliardë lekë apo 256 milionë euro, përfshirë këtu dhe fondin për bonusin e fundvitit. Ndërsa për kategorinë e pensionistëve, që përfshin bonusin plus indeksimin, fondi buxhetor u llogarit në rreth 120 milionë euro. 

Në kuadër ekonomik që kërkon kujdes dhe balancë në vendimmarrje, ne kemi zgjedhur që të mbështesim ato shtesa të cilat kanë më shumë nevojë. Ndaj edhe nëpërmjet këtij akti normativ, ne synojmë transferimin e të gjitha fondeve të buxhetit 2025, të cilat nuk janë përdorur nga ministritë apo institucionet buxhetore, të transferohen në llogarinë e mbështetjes së pensionistëve pranë Bankës së Shqipërisë. Këto fonde do të përdoren me vendim të Këshillit të Ministrave. Gjithashtu, nëpërmjet aktit normativ, ne synojmë mbështetjen e shtresave të nevojë, por nga ana tjetër edhe ririalokimin e kursimeve të evidentuara gjatë periudhës janar-nëntor 2025 drejt programeve apo projekteve të cilat kanë pasur një ecuri më të mirë. Paralelisht, me këtë akt normativ, kemi bërë dhe një shpërndarje të brendshme të fondeve me efekt neutral në deficitin buxhetor, në funksion të rritjes së efikasitetit dhe përmirësimit të zbatimit të projekteve.

Ne parashikojmë që viti 2025 të mbyllë me një rritje ekonomike prej 3.9%. Sa i takon borxhit publik, sipas vlerësimeve paraprake që Ministria Financave ka kryer, ai pritet të jetë nën masën 54% të prodhimit të brendshëm bruto në fund të vitit 2025 dhe ky është niveli më i ulët i borxhit publik që kemi pasur që nga viti 2010.  Në zërin e shpenzimeve korrekte, ndër alokimet kryesore mund të veçohen. buxheti financiar për disa kategorive në nevojë, në masën 15 mijw lekë, ku kanë qenë rreth 148,500 përfitues që vijnë nga familjet që përfitojnë ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuar, si dhe kujdestarët e tyre me një efekt financiar për buxhetin e shtetit në masën 2.23 miliardë lekë. Bonusi për familjet me mendje ekonomike deri ditën e premte, ka patur një realizim në masën 98.4%, ndërsa për personat me aftësi të kufizuar realizimi i këtij buxheti ka qenë në masën 99.5%. 
Nga një vlerësim paraprak që kemi bërë si Ministri e Financave, shuma që minimalisht dhe në vizionin minimalist do të kalojë në këtë llogari është rreth 150 milionë euro. Përmes këtij mekanizmi krijojmë hapësirat e nevojshme për mbështetjen e kësaj kategorie, por nga ana tjetër pa rrezikuar edhe ekuilibrat fiskal”, tha mes të tjerash Malaj.

Ora 10:29
Balla propozon shtyrjen e votimit të 4 pr.ligjeve: Do të përshtaten në përputhje me KE

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, kërkoi që 4 prej pikave të rendit të ditës së sotme, të kalojnë për shqyrtim në seancën e ardhshme me qëllim që të përshtaten me direktivat e KE. 

“Ndoshta do duket sikur kemi bërë ndonjë marrëveshje, po edhe në funksion të asaj që tha kolegu, bazuar në rregullore, do të kërkoja shtyrje për 1 javë të shqyrtimin e 4 projektligjeve në rendin e ditës. Janë projektligje që duken rakorduar fjalë për fjalë për KE dhe i propozoj seancës që projektligjet:

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8874, datë 29.3.2002, “Për kontrollin e lëndëve që përdoren për fabrikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe psikotrope”;

Projektligji "Për disa shtesa në ligjin nr. 7975, datë 26.7.1995, "Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope", të ndryshuar;

Projektligji "Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike";

Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 10221, datë 04.02.2010 "Për mbrojtjen nga diskriminimi”;

Kemi sjellë dy kërkesa për një shtesë për përbërjen e komisioneve të përhershme dhe përcaktimin e anëtarëve zëvendësues”, tha Balla.

Një kërkesë për lehtësim të agjendës erdhi nga pala demokrate, konkretisht nga deputeti Luçiano Boçi, i cili tha se shumë projektligje kërkojnë debat.

Ora 10:16
Jo vetëm për gazetarët, Tabaku: Ne propozuam dekriminalizim të shpifjes edhe për qytetarët, duhet t’i përputhemi standardeve të BE

Deputetja Jorida Tabaku tha në nisje të seancës plenare se ndryshimet në Kodin Penal për pjesën e shpifjes, është një rrezik për lirinë e medias, pasi përmes këtyre ndryshimeve qeveria kërkon të selektojë gazetarët.

Tabaku tha se PD ka propozuar dekriminalizim të shpifjes edhe për qytetarët, duke theksuar se duhet t'i afrohen standardeve të BE. 

“Ne propozuam një draft të kodit penal i cili kishte shfuqizim të nenin për fyerjen dhe shpifjen, jo vetëm për gazetarët por dhe për qytetarët. Një masë për të treguar që fjala e lirë nuk kërcënohet me burg, sigurisht që ka masa në kodin civil. Qeveria shqiptare vendoi që neni fyerja të mos ta prekë, ndërsa shpifjen ta prekë dhe të përcaktojë grupin e individëve që do të jenë jashtë kërcënimit me burg, duke seleksionuar ata gazetarë që do t’i kërcënojë me burg dhe ato të tjerë që do t’i lejojë të shpifin e të fyejnë. Sot duhet të marrim vendimin për t’iu bashkuar standardeve evropiane apo do të përdorim median si formë presioni”, tha ndër të tjera Tabaku.

Edhe organizatat e medias e kundërshtuan projektligjin që kalon sot në parlament, duke thënë se shpifja duhet të ishte dekriminalizuar plotësisht.