Aktivistja Luçiana Kokaj, e cila është edhe një prej nismëtareve të protestave që po zhvillohen në Tiranë, gjatë fjalës së saj në tubim është shprehur se protestuesit do të kërkojnë një kontratë të re sociale me shtetin.

Kokaj tha se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë i njeh referendumet, por sipas saj, pushtetarët në vendin tonë kanë ndryshuar ligjet, në mënyrë që zëri i qytetarëve të mos dëgjohet. Këtë gjë, Kokaj tha se do të ndryshojnë përmes protestave.

Ajo tha gjithashtu se mes protestuesve nuk ka ndarje fetare, politike apo krahinore. Sipas Kokajt, misioni i të gjithë protestueve është ‘pastrimi i shtëpisë së tyre’ nga klasa politike aktuale.

“Kërkesat janë shumë të qarta. E para është dorëheqja e kryeministrit. Ne nuk jemi këtu për të bërë parti politike, por për t’i dhënë një faqe të re Shqipërisë. Dhe jemi këtu për të kërkuar një kontratë të re sociale të qytetarëve me shtetin. Ku mos të jenë më vetëm 140 deputetë që do vendosin për fatet tona, ku mos të jenë më vetëm 2 persona që emërojnë deputetë me lista të mbyllura për të vendosur për fatet tona, por të kemi ne të drejtën për të vendosur për fatet tona. Sesi kjo do zgjidhet, absolutisht që do jenë edhe ekspertët që do japin mendimin e tyre dhe që do konkludojë në kërkesa të sakta. Patjetër që Kushtetuta e njeh referendumin, por këta për të mos na lejuar ne që të kemi zë të fortë, i kanë ndryshuar ligjet. Dhe ne këtë do e ndryshojmë nga ky shesh. Çdo orientim që do marrë protesta, do jeni ju ata që do vendosni. Zëri juaj do dëgjohet deri në fund dhe nuk do të mund askush të negociojë mbi emrin tuaj. Kjo protestë është përtej bindjeve fetare, politike e ndasive krahinore. Ne jemi këtu për Shqipërinë. Ju bëj thirrje të gjithë atyre që kanë dëgjuar një deklaratë të pasaktë, që ne nuk kemi asnjë ndarje fetare. Ne s’jemi këtu për Palestinë, Izrael, Amerikë, por për të pastruar shtëpinë tonë”, tha aktivistja Luçiana Kokaj.


Lajmi kryesor:

Protesta/ Ish-luftëtari i UÇK-së lexon listën me kërkesat: Rama dorëheqje, qeveri teknike! Harrojnë fare Berishën! Reagimi i Ramës: Protestës i ranë puplat nga zëdhënësi i Iranit!