Banorja e Rrjollit, Luçiana Kokaj, iu drejtua të rinjve pjesëmarrës në protestë duke thënë se kanë thyer algoritmin e kryeministrit Edi Rama. Ajo e mbylli fjalën nga podiumi duke thënë se askush nuk ka të drejtë të flasë në emër të protestuesve apo të prezantohet si përfaqësues i kësaj proteste.

“Unë kam vetëm një thirrje për të gjithë të rinjtë që kanë dhënë jetë kësaj proteste. Keni thyer algoritmin e kryeministrit që ishte mbret prej 13 vitesh. Puna jonë nuk ka mbaruar. Duhet të vazhdojmë dhe të thyejmë algoritmin edhe më shumë, ta çojmë te e drejta jonë që ne të bojkotojmë kryeministrin që na ka bojkotuar për 13 vite, të futemi lëvizje dhe të shpërndajmë pankartat që janë në shesh, që t’i tregojmë se jemi më kreativë, më artistë e më piktorë se ai.

Me këtë protestë që keni bërë, keni arritur të jeni në të gjitha mediat ndërkombëtare. Ata që janë në pushtet paguajnë miliona për të marrë disa minuta në mediat ndërkombëtare, ju e keni bërë me kreativitetin dhe energjinë tuaj. Një thirrje për të gjithë ata që mendojnë se mund të përfaqësojnë protestën, që nuk ka askush të drejtë në emrin tuaj, që s’ka askush të drejtë të bëjë grupe e mbledhje në emrin tuaj”, tha Luçiana Kokaj.


Lajmi kryesor:

Protesta/ Rilexohen kërkesat e Goxhajt drejtuar qeverisë! Për herë të parë protestuesit kundërshtojnë edhe Begajn