Tiranë, 17 Nëntor / ATSH - Muzeu Historik Kombëtar, në bashkëpunim më organizatën "Save the Children", oraganizoi sot një aktivitet në kuadër të 25-vjetorit të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve.
"Save the Children" në bashkëpunim me Sektorin e Programeve Edukative në muze organizuan ekspozitën me temë "Të drejtat e mia në sytë e mi".
Kjo ekspozitë kishte si qëllim promovimin e të drejtave të fëmijëve për pjesëmarrje, përmes eksperiencave më të mira të tyre si aktivistë në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të tyre.
Në këtë aktivitet ishin të pranishëm zv. ministrja e Arsimit dhe Sportit, Nora Malaj, zv. ministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë,  Bardhylka Kospiri, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Melsi Labi, drejtoresha e "Save the Children",  Anila Meço, drejtoresha e Agjencisë Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve, Ina Verzivolli.
Znj. Anila Meço në fjlën e hapjes u shpreh se, "kjo është java jubilare e 25-vjetorit të miratimit të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve dhe pjesëmarrja e fëmijëve është një e drejtë sublime".
Edhe Kospiri, në fjalën e saj shprehu kënaqësinë e pjesëmarrjes në këtë takim, jo se ishte java e fëmijëve, por sepse është kënaqësi të jesh mes të rinjsh. Ajo falënderoi organizatën "Save the Children" për këtë organizim dhe Muzeun Historik Kombëtar për mbështetjen që jep në çdo aktivitet.
Nderkohe, zv/ministrja Malaj theksoi se "duhen bërë politika në raport me fëmijët, edhe pse në Shqipëri është e vështirë të bëhen, pasi jemi një shtet me probleme të trashëguara, ku ka shumë nevoja për të plotësuar për fëmijët dhe të rinjtë".
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Melsi Labi, pasi falënderoi organizatën "Save the Children" dhe Agjencinë Kombëtare për të Drejtat e Fëmijëve për punën që kanë bërë me fëmijët, në fjalën e tij theksoi se "eshtë një nga synimet dhe mision i muzeut që të edukojë dhe të përgatisë brezat e rinj me historinë e vendit të tyre. Ne ofrojmë mundësinë që muzeu të jetë shtëpia e fëmijëve dhe fytyra e vërtetë e një shoqërie tregohet në sjelljen e saj me fëmijët", u shpreh ai.
/k.m//a.ke/