Për të 15-ën ditë me radhë, banorët e Divjakës kanë dalë edhe mbrëmjen e sotme në protestë, për të kundërshtuar propozimin e PS për hartën e re territoriale, e cila parashikon shkrirjen e 15 bashkive, mes të cilave edhe asaj të Divjakës (që do bashkohet me bashkinë Lushnjë).

Mbrëmjen e sotme kryefjala e protestuesve ka qenë mungesa e këshilltarëve në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak, të mbajtur më herët të premten paradite, pasi, sipas tyre, këshilltarët janë zgjedhur me votën e tyre dhe duhet të jenë në mbështetje të qytetarëve.

Protestuesit kanë theksuar se nëse Divjaka do të bashkohet me bashkinë e Lushnjës, do të kenë vështirësi në marrjen e shërbimeve.

“Është vënë re një mungesë e këshilltarëve. Ata duhet të ishin të gjithë aty. Ne kemi parë, sepse çdo bashki ka problematikat e veta. Si mundet që dy bashki me probleme, Divjaka dhe Lushnja të bashkohen? Kjo reformë është politike, s’ka lidhje me krijimin e një harte apo të jetë e dobishme për ne”, tha një protestues.

Protesta e 15 e banorëve të Divjakës u mbyll me marshimin në rrugët e qytetit, ku protestuesit u bënë thirrje edhe qytetarëve të tjerë që t’i bashkoheshin tubimit.


Lajmi kryesor:

Ndarja e re territoriale/ Selenica e Divjaka i thonë ‘jo’ shkrirjes së bashkive, këshillat kundër draftit të PS! Në Rrogozhinë protestë kundër bashkimit me Kavajën