Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.KONCERTI I MADH I FUNDVITIT NË DURRËS, MUZIKË DHE HUMOR

Emra të mëdhenj të artit shqiptar do të ngjiten në skenë në një koncert me të ftuar specialë, humor të zgjedhur, këngë dhe surpriza në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” në Durrës, nesër në orën 19:00.

2. “MERI POPINS” RIKTHEHET PËR FËMIJËT NË TEATRIN E KUKULLAVE

“Meri Popins” rikthehet këtë fundjavë në Teatrin e Kukullave në Tiranë më 27 dhe 28 dhjetor me shfaqje në oraret 10:30 dhe 11:30.

3. “T’ERDHA NË LAGJE”, AKTIVITETE ARTISTIKE E MUZIKË NË TIRANË

Muzikë live, festival dritash, murale, dj, etj. , do të jenë pjesë e aktivitetit “T’erdha në lagje”, që do të mbahet te Lagjia e Artistëve, rruga “Hiqmet Delvina” në Tiranë, nga sot deri më 31 dhjetor.

4. VIJOJNË SHFAQJET E BALETIT “ARRËTHYESI” NË SKENËN E TKOB-IT

Baleti “Arrëthyesi” vijon të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë, aty ku magjia e fundvitit merr jetë përmes notave të Tchaikovsky-t dhe botës plot ëndrra të Clarës. Ai do të vijë sonte dhe nesër në orën 19:00.

5. “SHKODRA N’FESTË”, KONCERTE ME KËNGËTARË TË NJOHUR NË SHESH

“Shkodra n’festë” vijon me një sërë aktivitetesh. Sot në mbrëmje, në sheshin e qytetit do të mbahet koncert nga Arilena Ara, ndërsa nesër do të vijë një koncert nga Noizy.

6. “FIER’ S JINGLING”, KONCERT I KËNGËTARES AURELA GAÇE NË FIER

Mbrëmjen e sotme në sheshin e qytetit të Fierit do të vijë “Fier’s Jingling”, një koncert nën interpretimin e këngëtares Aurela Gaçe.

7. KOMEDIA E ZEZË “METODA GRONHOLM”, PREMIERË TE “PETRO MARKO”

“Metoda Gronholm” me regji nga Viktor Zhusti e Dritan Boriçi do të ngjitet mbrëmjen e sotme në orën 19:00 në skenën e teatrit “Petro Marko” në Vlorë.

8. “FESTON KORÇA”, KONCERTE E ARGËTIM NË QYTETIN JUGLINDOR

Një koncert nga nga Kori i të Rinjve “Zë” do të vijë sonte në orën 18:00 në Korçë.

9. AKTIVITETET NË GJIROKASTËR, KONCERT ME MARSELA ÇIBUKAJ

Nëse ndodheni në Gjirokastër, sot, më 26 dhjetor, mund të bëheni pjesë e një mbrëmjeje muzikore me Marsela Çibukajn në Sheshin “Çerçiz Topulli”.

10. “NETËT FESTIVE NË PËRMET”, PERFORMANCA NGA ARTISTË TË NJOHUR

Duke filluar nga mbrëmja e sotme në orën 18:00 deri më 29 dhjetor, eventi “Netët Festive në Përmet” sjell atmosferë dhe muzikë për qytetarët në sheshin “Abdyl Frashëri”.

11. “NATA VLONJATE”, KONCERT FESTIV TE ZONA HISTORIKE E QYTETIT

Muzikë, atmosferë festive dhe shumë surpriza mund të gjeni sonte në orën 18:30 në sheshin tek Sahati në Zonën Historike të Vlorës gjatë koncertit festiv “Nata Vlonjate”.

12. “SHITËSJA E VOGËL E SHKREPËSEVE”,  MUSICALI NË DURRËS

“Shitësja e vogël e shkrepëseve” është musical-i, që do të vijë në Qendrën Kulturore të Fëmijëve në Durrës sot në orën 18:00 në kuadër të aktiviteteve festive të fundvitit.