Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.KONCERT SIMFONIK ME AMIR XHAKOVIQ E ERMIR KRANTJEN NË TKOB

Një koncert simfonik nën drejtimin e dirigjentit Ermir Krantja dhe me pjesëmarrjen e pianistit Amir Xhakoviq vjen sonte në orën 19:00 në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit. Programi ndërthur kryeveprat e repertorit klasik me krijimtarinë bashkëkohore shqiptare, ku në qendër të mbrëmjes do të jetë premiera botërore e veprës “Concerto Trinitas I, II, III” për piano dhe orkestër, kompozuar nga Vasil S. Tole. Mbrëmja do të vijojë me uverturën nga opera “Le nozze di Figaro” të Mozart dhe uverturë-fantazinë “Romeo & Juliet” të Tchaikovsky-t.

2. “LA SYLPHIDE”, KRYEVEPRA E BALETIT ROMANTIK NË VLORË

Baleti “La Sylphide”, një nga kryeveprat e baletit romantik botëror, që ndërthur bukurinë e lëvizjes, poezinë e trupit dhe magjinë e një bote ëndrrash do të ngjitet në skenë në teatrin “Petro Marko” në Vlorë, nesër, në orën 19:00. Nën koreografinë e August Bournonville dhe me muzikën e Herman Severin Lovenskiold, kjo vepër klasike ju fton në një udhëtim të paharrueshëm mes dashurisë, fantazisë dhe së bukurës.

3. “ZËRAT E ARTIT” ME SULKUQIN NË TEATRIN “SKAMPA” TË ELBASANIT

Në Teatrin “Skampa” në Elbasan sonte nw orwn 18.00 mbahet aktiviteti kulturor “Zërat e Artit” me protagonist maestro Zeqir Sulkuqin. Violinist, pedagog, drejtues artistik dhe “Qytetar Nderi i Elbasanit”, Sulkuqi për dekada me radhë ka kontribuar në ruajtjen e traditës muzikore shqiptare dhe zhvillimin e etno-jazz-it, duke sjellë një udhëtim artistik nga tradita drejt inovacionit muzikor.

4. “GONDOLA”, FILMI I REGJISORIT VEIT HELMER NË QENDRËN “AGIMI”

“Gondola” me regji nga Veit Helmer është filmi që do të shfaqet te Qendra e Artit “Agimi” në Tiranë nesër në orën 19:00.

Filmi për takimet e rastësishme, bashkëpunimin dhe fuqinë e lidhjeve njerëzore shfaqet nga Ambasada e Gjermanisë në Tiranë dhe sjell një histori që zhvillohet mes maleve dhe luginës, aty ku dy kabina teleferiku takohen çdo gjysmë ore dhe lind një lidhje e veçantë mes dy operatorëve të tyre.

Veit Helmer realizoi filmin e tij të parë në moshën 14-vjeçare dhe studioi regji filmi në Shkollën e Filmit në Mynih. Ai u bë i njohur për filmat e tij të shkurtër novatorë Surprise, të shfaqur në Festivalin e Filmit në Kanë, dhe Tour Eiffel, të prezantuar në Venecia në formatin 70 mm. Gjatë karrierës së tij, Helmer ka bashkëpunuar me artistë si Udo Kier, Goran Bregović dhe Paz Vega. Ai gjithashtu jep mësim në shkolla filmi në qytete të ndryshme të botës. Filmat e tij kanë fituar gjithsej 155 çmime.

5. KONCERTI RECITAL I GRUPIT “BURN” NË UNIVERSITETIN E ARTEVE

Grupi “Burn” sjell koncertin e tij të parë recital sonte dhe nesër në sallën e madhe të Universitetit të Arteve në Tiranë. Me moton “Përtej muzikës, aty ku tingujt rrëfejnë histori”, koncerti kremton 23 vite histori, kujtime dhe emocione të treguara përmes muzikës, të cilat do të rijetohen me publikun përgjatë dy netëve të veçanta.

6. SHFAQJA “DJALI” RIKTHEHET NË SKENËN E TEATRIT EKSPERIMENTAL

Drama e familjare “Djali”, e autorit Florian Zeller dhe me regji të Fatos Berishës do të vijojë të shfaqet në skenën e Teatrit Eksperimental edhe sonte dhe nesër në orën 20:00. Vepra trajton rrëfimin e dhimbshëm të një adoleshenti që përballet me depresionin dhe pasojat e divorcit të prindërve. Në rolet kryesore interpretojnë Jozef Shiroka, Egla Ceno, Arjon Pulleja, Krist Lleshi, Endri Çela e Viktor Zhusti.