Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.PREMIERA E BALETIT “CARMEN”/ VJEN NË SKENË ANBETA TOROMANI

Pasion, dramë dhe sensualitet në një nga historitë më të fuqishme të skenës botërore, vijnë në baletin “Carmen”, mbrëmjen e sotme në orën 20:00 në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Me muzikën e Georges Bizet dhe koreografinë e Amedeo Amodio, në skenë, në rolin e Carmen do të vijnë Anbeta Toromani dhe Adela Muçollari, ndërsa përballë tyre, Don José vjen nga Alessandro Macario dhe Dion Gjinika.

2. PROJEKTI “POENIA” SJELL MUZIKALIN PËR TË RINJTË TE ARTET

Projekti “Poenia” sjell sot në orën 17:00 në skenën e Universitetit e Arteve, muzikalin për të rinjtë. Në aktivitet, nxënësit do të prezantohen jo vetëm me interpretime muzikore, por dhe me një ekspozitë pikture.

3. ENIGMA E DËSHIRËS/ NJË BISEDË MBI SURREALIZMIN DHE DALÍ

“Enigma e Dëshirës: Një bisedë mbi Surrealizmin dhe Salvador Dalí”, një mbrëmje kushtuar njërit nga artistët më enigmatikë të shekullit XX do të vijë në KubFrance Tirana te Piramida, nesër në orën 18:00. Pas bisedës, do të keni mundësinë të përjetoni një eksperiencë realiteti virtual të frymëzuar nga Dalí.

4. “RROK ZOJZI: EKSPEDITA ETNOGRAFIKE”, EKSPOZITË TE “MARUBI”

Ekspozita “Rrok Zojzi: Ekspedita Etnografike” vijon të qëndrojë e çelur te Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” në Shkodër. Kuruar nga Nebi Bardhoshi ekspozita paraqet për herë të parë një përzgjedhje të fotografive etnografike të Rrok Zojzit, themelues i etnografisë institucionale shqiptare dhe pionier në përdorimin e fotografisë si instrument kërkimor.

5.  “TOKA MBAN”, EKSPOZITA NGA KUSHTRIM MEHMETI NË TIRANË

“Toka mban” është ekspozita nga Kushtrim Memeti, që vijon të qëndrojë e çelur te “Bazament Art Space” në Tiranë.