Gjykata e Shkallës së Parë në Fier ka zhvilluar analizën vjetore për vitin 2025, ku janë evidentuar nje sërë problemesh, si ngarkesa e lartë e çështjeve, mungesa e kushteve infrastrukturore dhe rritja e ndjeshme e veprave penale.

Në fjalën e tij, kryetari i gjykatës, Noel Veizi theksoi se viti që lamë pas ka qenë sfidues për shkak të mungesës së organikës dhe ambienteve. Ai nënvizoi se institucioni mbulon një territor me 6 bashki dhe një popullsi prej 240,377 banorësh.

Sipas të dhënave ne raport, gjatë vitit 2025 janë regjistruar 10,764 çështje për gjykim, ndërsa janë shqyrtuar 5,677 çështje penale. Gjykata ka dhënë 971 vendime dënimi, ku jane denuar dhe 17 të mitur.

Një nga shqetësimet kryesore mbetet rritja e çështjeve penale me 71.5%, ku veçanërisht bie në sy shtimi i rasteve të dhunës në familje, një nga treguesit më problematikë të 5 viteve të fundit.

Problematikat infrastrukturore, përfshirë mungesën e sallave të gjyqit dhe ambienteve të konsultimit, kanë rikthyer debatin për nevojën e ndërtimit të një gjykate të re në Fier, një çështje e mbetur e pazgjidhur prej rreth 15 vitesh.

Në këtë takim morën pjesë Kryetari i Gjykatës Noel Veizi, Inspektori i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Artur Metani, anëtarët e KLGJ Emona Muçi dhe Bledar Bajri, Kryeprokurori Elion Mustafaj, përfaqësues të Policisë së Shtetit dhe aktorë të tjerë të sistemit të drejtësisë.