Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1. ZUCCHERO, KONCERT NË PALLATIN E KONGRESEVE NË TIRANË

Zucchero, legjenda italiane e blues, rock dhe soul vjen për një koncert në Tiranë mbrëmjen e nesërme. I njohur për hitet dhe bashkëpunimet e tij ndërkombëtare, ai do të ngjitet në skenën e Pallatit të Kongreseve me muzikë live e plot emocione për publikun shqiptar.

2. DURRËS/“PASION PËR PIKTURËN”, EKSPOZITË TE “NIKOLET VASIA”

Në Galerinë e Arteve “Nikolet Vasia” në Durrës çelet sonte në orën 19:00 ekspozita “Pasion për Pikturën”, kushtuar artit pamor e krijimtarisë bashkëkohore. Ekspozita sjell punimet e Kastriot Gjinplakut dhe artistëve të tjerë pjesëmarrës, duke ftuar publikun të shijojë një mbrëmje me ngjyra, frymëzim e art.

3. “PORTA DHE URA”, AKTIVITET PËR FËMIJË DHE PANEL DISKUTIMI NË TIRANË

Sarajet e Toptanasve bëhen mikpritëse të projektit “Porta dhe Ura” nga “Family Art Guides”, një aktivitet që ndërthur edukimin, artin dhe trashëgiminë kulturore. Programi përfshin punëtori krijuese dhe lojëra edukative për fëmijët, si edhe një panel diskutimi, që do të mbahet sot në orën 19:30 mbi ilustrimin didaktik dhe rolin e artit në promovimin e trashëgimisë kulturore.

4. “KAMPIONATI” I LETËRSISË BOTËRORE NË BIBLIOTEKËN KOMBËTARE

Në frymën e Kampionatit Botëror të Futbollit, në sallën “Sotir Kolea” të Bibliotekës Kombëtare vijon të qëndrojë e hapur edhe sot ekspozita tematike që ndërthur pasionin për sportin me botën e letërsisë. Vizitorët mund të zbulojnë autorë dhe vepra të letërsisë botërore të prezantuara në një format simbolik, si pjesë e një “kampionati” kulturor.

5. JAVA FRANCEZE/ PERFORMANCA “MISSION ROOSEVELT” NË TIRANË

“Mission Roosevelt” është performanca shëtitëse, që do të mbahet nesër në Tiranë, si një ndërthurje mes artit, performancës dhe hapësirës urbane. Aktiviteti, i realizuar nga “Tony Clifton Circus”, në kuadër të Javës Kulturore Franceze, zhvillohet përgjatë itinerarit nga Piramida e Tiranës drejt Sheshit Italia, duke synuar ta kthejë qytetin në një skenë të hapur dhe publikun në pjesë aktive të përvojës artistike.