Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.KONCERTI “LUM” NGA HERSI MATMUJA E JACOPO CONOCI TE TKOB
“Lum” është koncerti me muzikë dhome, një takim artistik mes zërit të këngëtares shqiptare Hersi Matmuja dhe violonçelistit Jacopo Conoci, që do të vijë nesër në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Koncerti vjen si një projekt muzikor dhe diskografik që shpalos natyrshëm dialogun mes traditës dhe interpretimit bashkëkohor.
2. KËRCIMI I DASHURISË”, GARA KOMBËTARE E KËRCIMIT PËR TË RINJ
Gara kombëtare e kërcimit për të rinj, “Kërcimi i dashurisë” vjen në edicionin e dhjetë te teatri “Bylis” në Fier. Sot në orën 17:00 vjen finalja e saj në një spektakël, ku energjia, talenti dhe emocionet bashkohen në një natë.
3. OPERA “L’ELISIR D’AMORE” E DONIZETTI-T NË SKENËN E TKOB-IT
Opera “L’Elisir d’Amore”, kryevepra e Gaetano Donizetti-t do të vijojë të ngjitet në skenë edhe sonte në orën 19:00 nën interpretimin e artistëve të njohur të skenës shqiptare dhe ndërkombëtare, si Enkeleda Kamani, Gëzim Myshketa, Davide Luciano, Nina Muho, Artur Vera, etj.
4. “FAMILJA ADAMS”, PERFORMANCË FËMIJËSH TE TEATRI I KUKULLAVE
“Familja Adams” është performanca që do të vijë te Teatri i Kukullave sot në orën 19:00.
5. “PLEN AIR 11”, EKSPOZITA E 15 PIKTORËVE NË GALERI NË SHKODËR
“Plen Air 11” është ekspozita me mbi 50 vepra në pikturë të 15 artistëve, që vijon të qëndrojë e çelur në Galerinë e Arteve në Shkodër, nesër në orën 18:00.
6. “SI TA DONI”, SHFAQJA ME REGJI TË JOHN BLONDELL, KTHIM NË TK
“Si ta doni” nga William Shakespeare me regjisor John Blondell vijon të shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar edhe sot dhe nesër në orën 20:00.
7. “DIKU MES MERKURIT DHE MARSIT, SHTËPIA” NGA BESNIK GRAINCA
Ekspozita “Between Mercury and Mars, Home” (Diku mes Merkurit dhe Marsit, është shtëpia) nga Besnik Grainca vijon të qëndrojë e çelur në Qendrën Kulturore “Tulla” në Tiranë.
8. BORËBARDHA DHE SHTATË XHUXHAT” NË TEATRIN E KUKULLAVE
Shfaqja për fëmijë “Borëbardha dhe shtatë xhuxhat” do të vijë për të vegjlit sot dhe nesër, më 15 shkurt në oraret 10:30 dhe 11:30 në Teatrin e Kukullave. Kjo përrallë klasike interpretohet e gjitha nga një aktore e vetme, Jorida Meta.
9. “KËPUCËT PREJ RËRE”, SHFAQJA PËR FËMIJË TE TEATRI METROPOL
Shfaqja për fëmijë “Këpucët prej rëre” e autores franceze Suzanne Lebeau, përkthyer nga Anjeza Murati do të vijë te Teatri Metropol sot dhe nesër në orën 11:00 nën regjinë e Suela Xhonuzit.
Komente












