1.“KOHË TË ÇRREGULLTA”, KONCERT RECITAL NGA EKLAND HASA

“Kohë të çrregullta”, koncert recital nga Ekland Hasa do të vijë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit mbrëmjen e nesërme në orën 20:00. Artisti do të interpretojë një program që ndërthur klasiken me modernen, me vepra nga Bach, Berio, Fazıl Say, Stravinsky, Khachaturian, Kapustin e të tjerë,  në një dialog të gjallë mes traditës dhe bashkëkohores. Ai do të shoqërohet nga Orkestra Simfonike e TKOBAP-së nën dirigjimin e Suzana Turkut.

2. “DY ARTFIKËSIT” NË SKENËN E TEATRIT “ANDON ZAKO ÇAJUPI”

Shfaqja “Dy artfikësit” do të vijë në skenën e teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë mbrëmjen e sotme në orën 19:00.

3.“RROK ZOJZI: EKSPEDITA ETNOGRAFIKE”, EKSPOZITË TE “MARUBI”

“Rrok Zojzi: Ekspedita Etnografike” është ekspozita e kuruar nga Nebi Bardhoshi, që vijon të qëndrojë e çelur në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” në Shkodër. Ekspozita paraqet për herë të parë një përzgjedhje të fotografive etnografike të Rrok Zojzit (1910–1995), themelues i etnografisë institucionale shqiptare dhe pionier në përdorimin e fotografisë si instrument kërkimor.

4.DY EKSPOZITA TË ARTISTEVE TË REJA NË GALERINË E TIRANËS

“Çfarë vjen përpara elegancës” nga Ema Bregu dhe “Karakteri i nënvetëdijes” nga Elisa Koçeku, janë ekspozitat, që vijojnë të qëndrojnë të hapura te Galeria e Artit Tiranë. Këto dy ekspozita vijnë si një dialog midis dy artisteve të reja dhe njëkohësisht dy praktikave artistike që operojnë në kufijtë e së dukshmes dhe së padukshmes, duke eksploruar identitetin si një proces të vazhdueshëm transformimi.