1. BEN ANDONI, AUTOR

“IDENTITET”/GAZETARI E PËRKTHYESI BEN ANDONI BOTON TREGIMET

Titulli: Identitet

Autori: Ben Andoni

Shtëpia botuese: Papirus

Çmimi: 1000 lekë

Rrëfimet me ngjyrim personal të këtij vëllimi shërbejnë si themel për ndërtimin e një identiteti të brendshëm që bashkon të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. Autori krijon një histori jetësore në lëvizje, ku ëndrrat, kujtesa dhe realiteti ndërthurren në një vijë të vetme kuptimi.

Këto tregime psikologjike, herë-herë sfiduese në lexim, synojnë të komunikojnë përvoja e ndjesi që shpesh mbeten të pashprehura në jetën e përditshme. Kapërcimi drejt një regjistri të afërt fton lexuesin dhe i jep rrëfimit vendin e vet.

Ben Andoni është gazetar prej vitit 1996 dhe ka shërbyer si korrespondent i agjencisë së lajmeve të Beogradit BETA. Ai ka punuar në mediat kryesore të vendit, aktualisht freelance bashkëpunon me Radio-Televizionin Kombëtar të Austrisë, ORF. Ka përkthyer mbi 49 autorë nga letërsia serbe, kroate dhe angleze dhe është autor i librave Shqiptarët (Papirus 2015), Historia e Shqipërisë përmes karikaturës (Poeteka 2017) dhe Shqipëria prej letrave (Papirus, 2024).

2. MARGARITA SULAJ SKËNDERAJ, PËRKTHYESE

“SYTË E MONËS”, NJË UDHËTIM MES KRYEVEPRAVE BOTËRORE

Titulli: Sytë e Monës

Autori: Thomas Schlesser

Përktheu: Margarita Sulaj Skënderaj

Shtëpia botuese: Dudaj

Çmimi: 1500 lekë

Një vajzë e vogël, gjyshi i saj, zbulimi i bukurisë, i artit dhe i jetës.

Mona është dhjetë vjeç dhe jeton në Paris me prindërit, kur një ditë fare papritur, nuk shikon më nga sytë. Kontrollet e para në urgjencë nuk zbulojnë asgjë të pazakontë, dhe pas disa orësh ankthi, duket se shikimi i është rikthyer. Okulisti është i bindur se vajza ka nevojë për një konsultë psikiatrike, por gjyshi i Monës, Henri – një plak i ashpër dhe kokëfortë – mendon krejt të kundërtën: nëse vajza rrezikon të humbasë shikimin, e vetmja shpresë e vërtetë është t’i tregojë asaj gjithçka më të bukur që ka krijuar njeriu.

Dhe kështu, çdo të mërkurë, menjëherë pas shkollës, gjyshi e shoqëron mbesën të vizitojë disa nga muzetë më të rëndësishëm të botës. Louvre-in, Muzeu e Orsay-ës, Beaubourg-un, që janë si arkëza mrekullish që hapen para syve të Monës dhe udhërrëfyesit të saj.

Duke soditur me magjepsje pesëdhjetë e dy veprat që shënojnë rrjedhën e romanit, vajza zbulon stilin e veçantë të çdo artisti, preket thellë nga madhështia e heshtur e një Leonardoje apo e një Degàsi, e një Botticelli apo e një instalacioni të Marina Abramovic-it.

Gjyshi dhe mbesa nisin një udhëtim në misterin e bukurisë, në aftësinë enigmatike të artit për të zhveshur shpirtin e njeriut – një udhëtim që do të ndryshojë përgjithmonë jetën e të dyve. Dhe, bashkë me ta, edhe tonën.

Thomas Schlesser është një historian arti dhe drejtor i Fondacionit Hartung-Bergman, një institucion që ka për mision ruajtjen dhe vlerësimin e veprave artistike, arkivave dhe trashëgimisë arkitekturore. Ai është gjithashtu pedagog në École Polytechnique dhe autor i disa biografive të piktorëve dhe artistëve të njohur. Sytë e Monës u bë një fenomen botëror editorial, me të drejtat e shitjes të siguruara në mbarë globin dhe me përkthime në mbi njëzet gjuhë, madje përpara publikimit zyrtar në Francë.

3. ALDO MUSTAFA, AUTOR

“KODRA E KUJTIMEVE”, HISTORIA MAGJIKE E ANDIT DHE SENDIT

Titulli: Shtegu i dritave magjike

Autori: Aldo Mustafa

Shtëpia botuese: Univers

Çmimi: 500 lekë

“Kodra e Kujtimeve” është një rrëfim i ndjerë për fëmijë, ku humbja, kujtimet dhe fantazia ndërthuren në një udhëtim të butë emocional.

Andi dhe Sendi, dy fëmijë me zemra të ndjeshme, përballen me dhimbjen e humbjes së maces së tyre të dashur, Lean. Por kjo nuk është thjesht një histori trishtimi: është një histori shprese, dashurie dhe magjie.

Përmes një kombinimi mes realitetit dhe fantazisë, autori krijon një univers, ku flet drejtpërdrejt me botën e fëmijëve.

MELODIA E VARGUT

Sonila Strakosha

Te Melodia e vargut vijnë vargjet domethënëse të poetit Xhevahir Spahiu

Dallëndyshja e fëmijërisë

Matanë dritares dallëndyshet

lodrojnë, cijasin pa pushim.

Unë i shikoj dhe sjell ndër mend

një fshat të largët, një kujtim…

Në degë të arrës, buzë një lëmi,

një dallëndyshe befas pashë:

nuk di përse…mora një gur

dhe dallëndyshes unë i rashë.

U drodh, u tremb, u shemb përdhe

si yll i fikur zogu i shkretë,

në duart e mia përpëlitej

me krah të thyer e pa jetë.

-Tani, – tha gjyshe Fatimeja,-

prit kur të thahet krahu yt…

Një pikë loti lagu pendët,

një tjetër m’u bë lëmsh në fyt.

Ia lidhi krahun flokëbardha,

u shua dhimbja pak nga pak;

dritarja…qielli…cicërimat

dhe dallëndyshja iku larg…

Atje ku hapej kaltërsia

e pritnin shoqet zemër ngrirë

ju bisht gërshëra balerina

hidhni valle në hapësirë

Sa here i shoh tek fluturojnë

dhe krahu i njërës, tjetrën ndjek

më vjen ndërmend një fjalë e gjyshes

lirinë e tjetrit mos e prek.