Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1. “KUR DY ZEMRA DASHUROHEN”, KONCERTI PËR MUHARREM GURRËN

“Kur dy zemra dashurohen” është koncerti për Muharrem Gurrën, një nga emrat më të shquar të traditës muzikore qytetare tiranase, që do të mbahet në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit nesër dhe më 11 prill në orën 20:00. Në skenë do të ngjitet trupa e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe disa artistë të mëdhenj të muzikës shqiptare, si: Merita Halili, Kastriot Tusha, Manjola Nallbani, Artan Bakija dhe Elvina Gurra.

2. SALVADOR DALI, PUNËT E RRALLA TË ARTISTIT EKSPOZOHEN TE COD

Një ekspozitë premierë e një prej artistëve më të jashtëzakonshëm të surrealizmit botëror, Salvador Dalí do të çelet sot në orën 18:00 në mjediset e Qendrës për Hapje dhe Dialog pranë Kryeministrisë. Ekspozita “Salvador Dali” është pjesë e “Koleksioni Argillet” e Christine Argillet, një arkiv shumë personal i gravurave dhe vizatimeve të rralla të Dalí, nga viti 1934 e deri në fund të viteve ’70.

3.“RROK ZOJZI: EKSPEDITA ETNOGRAFIKE”, EKSPOZITË TE “MARUBI”

“Rrok Zojzi: Ekspedita Etnografike” është ekspozita e kuruar nga Nebi Bardhoshi, që do të çelet nesër në orën 19:00 te Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”. Ekspozita paraqet për herë të parë një përzgjedhje të fotografive etnografike të Rrok Zojzit (1910–1995), themelues i etnografisë institucionale shqiptare dhe pionier në përdorimin e fotografisë si instrument kërkimor.

4.TEATRI “KUKULLA” ME REGJI NGA NASER SHATROLLI TE “METROPOL”

“Kukulla” është shfaqja me regji nga Naser Shatrolli, që do të shfaqet te teatri Metropol nesër në orën 20:00. Me autor Miro Gavran interpretojnë Leonard Hamitaj dhe Qendresa Jashari.