Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1. “GRAND GALA 2025”, KONCERT ME MUZIKË KLASIKE NË ELBASAN
Një mbrëmje gala që sjell në skenë madhështinë e muzikës klasike dhe elegancën e interpretimit artistik do të vijë nesër në orën 18:00 në teatrin “Skampa” në Elbasan. Nën drejtimin artistik dhe dirigjimin e Gridi Kraja, Orkestra Filarmonike e Elbasanit prezanton një koncert të veçantë, ku bashkohen emra të njohur të skenës muzikore shqiptare.
2. KONCERTI I MADH I FUNDVITIT NË DURRËS, MUZIKË DHE HUMOR
Emra të mëdhenj të artit shqiptar do të ngjiten në skenë në një koncert me të ftuar specialë, humor të zgjedhur, këngë dhe surpriza në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” në Durrës, sot në orën 19:00.
3. “MERI POPINS” RIKTHEHET PËR FËMIJËT NË TEATRIN E KUKULLAVE
“Meri Popins” rikthehet këtë fundjavë në Teatrin e Kukullave në Tiranë. Më 28 dhjetor shfaqja do të vijë për fëmijët në oraret 10:30 dhe 11:30.
4. “SOL INTERNATIONAL MUSIC FESTIVAL”, 2 NETË MAGJIKE NË HIMARË
Dy mbrëmje magjike me artistë të njohur të muzikës klasike do të vijnë në Himarë në edicionin e dytë të “SOL International Music Festival”. Festivali do të mbahet më 28 e 29 dhjetor në orën 18:00 në sallën “Neço Muko”.
5. “T’ERDHA NË LAGJE”, AKTIVITETE ARTISTIKE E MUZIKË NË TIRANË
Muzikë live, festival dritash, murale, dj, etj. , do të jenë pjesë e aktivitetit “T’erdha në lagje”, që do të vijojë të mbahet te Lagjia e Artistëve, rruga “Hiqmet Delvina” në Tiranë deri më 31 dhjetor.
6. VIJOJNË SHFAQJET E BALETIT “ARRËTHYESI” NË SKENËN E TKOB-IT
Baleti “Arrëthyesi” vijon të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Tiranë, aty ku magjia e fundvitit merr jetë përmes notave të Tchaikovsky-t dhe botës plot ëndrra të Clarës. Ai do të vijë sonte në orën 19:00.
7. “SHKODRA N’FESTË”, KONCERTE ME KËNGËTARË TË NJOHUR NË SHESH
“Shkodra n’festë” vijon me një sërë aktivitetesh. Sot në mbrëmje, në sheshin e qytetit do të mbahet koncert nga Noizy.
8. “FESTON KORÇA”, KONCERTE E ARGËTIM NË QYTETIN JUGLINDOR
“Musical Katedralja” do të mbahet nesër dhe të dielën në orën 19:00 në Korçë.
9. “NETËT FESTIVE NË PËRMET”, PERFORMANCA NGA ARTISTË TË NJOHUR
“Netët Festive në Përmet” sjell atmosferë dhe muzikë për qytetarët në sheshin “Abdyl Frashëri” deri më 29 dhjetor duke filluar prej orës 18:00. Mbrëmjen e sotme, të pranishmit mund të ndjekin një koncert nga Vaskë Curri, ndërsa nesër, një koncert nga Donika Pecallari.
Komente












