Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.METRO SOUND-TRACK, MUZIKA E FILMIT SHQIPTAR ME GRIDI KRAJËN
Një mbrëmje e veçantë kushtuar muzikës së filmit shqiptar, nën drejtimin e dirigjentit Gridi Kraja dhe interpretimin e orkestrës simfonike SinfoArt do të vijë mbrëmjen e nesërme dhe më 19 dhjetor në orën 19:00 në teatrin e Metropolit. Gjatë koncertit do të interpretohen veprat e Çesk Zadesë nga “Skënderbeu – Suite”, muzika prekëse e Aleksandër Lalos për “Dimri i fundit”, kompozimet e Robert Radojës në “Mëngjese lufte”, si dhe krijimet emblemë të Aleksandër Peçit për “Gjeneral Gramafoni”. Publiku do të dëgjojë gjithashtu meloditë e paharrueshme të Limos Dizdarit nga “Rrugë të bardha” dhe “Mësuesja”, kompozimet plot ndjesi të Hajg Zaharianit nga “Besa e kuqe” dhe “Dora e ngrohtë”, si dhe kolonën zanore të dashur të Agim Krajkës nga “Zonja nga qyteti”. Muzika e Kujtim Laros do të vijë po ashtu në skenë me veprat e filmave “Liri a vdekje”, “Nusja dhe shtetrrethimi” dhe “Lulëkuqe mbi mure”.
2. SHFAQJA “I HUAJI” NGA ALBERT CAMUS NË TEATRIN EKSPERIMENTAL
“I huaji” nga Albert Camus është shfaqja që do të vijë premierë te Teatri Kombëtar Eksperimental “K. Spahivogli” në Tiranë mbrëmjen e nesërme në orën 20:00.
3. “ETNOGRAFI, ART DHE DESIGN”, BISEDË ME ARTISTEN ANILA ZAJMI
“Etnografi, art dhe design” është biseda që do të mbahet me artisten Anila Zajmi te Galeria e Artit Tiranë, nesër në orën 11:00.
4. “PUKA N’FEST”, Konkurs fotografie PËR MAGJINË E PUKËS
“Puka N’Fest” është festivali që po mbahet në Pukë e që sjell kulturë dhe argëtim. Nesër, si pjesë e këtij festivali, deri më 19 dhjetor do të organizohet Konkursi i Fotografisë, në qendër të të cilit është Puka.
5. 50-VJETORI I ANIMACIONIT SHQIPTAR, SHFAQJE FILMASH TE “AGIMI”
Në Tiranë po vijon të mbahet aktiviteti lidhur me 50-vjetorin e animacionit shqiptar. Pjesë e tij janë dhjetëra filma, që shfaqen në pika të ndryshme të kryeqytetit. Sot dhe nesër, një sërë filmash do të shfaqen te Kinema “Agimi”.
6. SHFAQJA “HALLI HALLIT NUK I NGJAN” TE TEATRI “PETRO MARKO”
“Halli hallit nuk i ngjan …” është shfaqja që vjen premierë mbrëmjen e nesërme në orën 19:00 në teatrin “Petro Marko” në Vlorë .
Komente











