Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1. KORÇË/“A MILLION DREAMS”, MUZIKAL NË TEATRIN “A. Z. ÇAJUPI”

Muzikali “A Million Dreams” vjen në skenën e Teatrit “A. Z. Çajupi” në Korçë, nesër në orën 19:00. Shfaqja realizohet me pjesëmarrjen e Korit të Shkollës Artistike “T. T. Koço” dhe Qendrës së Artit, nën skenarin e regjinë e Blerta Belliut dhe drejtimin muzikor e vokal të Bledi Polenës.

2.“IDROMENO FILM FESTIVAL”, EDICIONI I PESTË NË SHKODËR

Nga 3 deri më 9 tetor 2026 në Shkodër do të mbahet edicioni i 5-të i “Idromeno International Film Festival” me temën “Chapter II — Voices of the Earth”. Festivali kthehet në një hapësirë kushtuar historive që jetojnë në vendet nga vijmë, kujtesës së trashëguar dhe heshtjeve që mbartim, duke dëgjuar zërat që kapërcejnë kufijtë, brezat dhe kohën.

3. “STREET FESTIVAL”/ JAVA KULTURORE GJERMANE NË TIRANË

Në kuadër të Javës Kulturore Gjermane 2026, më 3 tetor nga ora 11:00 deri në 13:00, në Sheshin Rekreativ te Pazari i Ri në Tiranë zhvillohet “Street Festival”. Vizitorët do të kenë mundësinë të njihen me organizata gjermane, të informohen mbi mundësitë për studime e bursa në Gjermani, si dhe të shijojnë specialitete kulinarie, bukë të freskët, birrë vendase dhe muzikë live nga grupi "Gaudiblosn" nga Mynihu.

4. “MBRËMJE NËN TINGUJT E KITARËS”, KONCERT LIVE NË PESHKOPI

Më 3 tetor, në orën 18:00, përballë Pallatit të Kulturës në Peshkopi zhvillohet koncerti live “Mbrëmje nën tingujt e kitarës”. Në program do të interpretohen këngë të njohura nga Elita 5, Scorpions, Alban Skënderaj, Ylli Limani e të tjerë, nga një grup këngëtarësh dhe instrumentistësh të rinj, nën drejtimin artistik të Ermal Lushit dhe me organizim të Qendrës Alfa Omega në bashkëpunim me Qendrën Rinore në Dibër.

5.“GEGNISHT FESTIVAL”, FESTIVAL I GJUHËS E KULTURËS NË SHKODËR

Shkodra mirëpret Festivalin “Gegnisht”, një festë e dedikuar gegërishtes jo si një relike e së shkuarës, por si një frymë e gjallë që prej shtatë shekujsh jeton në gojën e njerëzve, në letërsi, në këngë e në kujtesën tonë kolektive, duke mbledhur artdashësit rreth kësaj pasurie gjuhësore.

6.“TIRANA GRAND PRIX”, EVENTI AUTOMOBILISTIK NË TIRANË

Nga 2 deri më 4 tetor, në Sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë zhvillohet edicioni i dytë i “Tirana Grand Prix”. Eventi do të sjellë historinë, adrenalinën dhe energjinë e shpejtësisë në rrugët e kryeqytetit për të gjithë pasionuarit pas automobilizmit.

7. “KREVATI I GJYSHES”, SHFAQJA PËR FËMIJË TE “METROPOL”

Të shtunën dhe të dielën në orën 11:00, Teatri Metropol mirëpret fëmijët me shfaqjen “Krevati i gjyshes”, me autore Klara Çelin dhe regji nga Klajdi Malellari. Shfaqja është një udhëtim plot humor, lojë dhe surpriza ku ardhja e gjyshes kthen përmbys përditshmërinë e familjes. Në role interpretojnë Muhamed Babamusta, Ajla Koçiu, Elona Hyseni dhe Adelajda Lila.

8.“TRE DERRKUCËT” KTHEHEN NË TEATRIN E KUKULLAVE NË TIRANË

Më 3 dhe 4 tetor, Teatri i Kukullave në Tiranë risjell në skenë shfaqjen për fëmijë “Tre derrkucët”. Shfaqjet do të luhen në dy orare të ndryshme: në orën 10:30 dhe 11:30.