Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.KONCERT NGA BIG BAND OSFA NË TEATRIN “A. Z. ÇAJUPI” NË KORÇË

Orkestra e Forcave të Armatosura vjen me një koncert në teatrin “Andon Zako Çajupi” në Korçë mbrëmjen e nesërme në orën 19:00 nën interpretimin e artistëve: Arsi Bako, Petro Fejza dhe Bledi Polena.

2. “KUR DY ZEMRA DASHUROHEN”, KONCERTI PËR MUHARREM GURRËN

“Kur dy zemra dashurohen” është koncerti për Muharrem Gurrën, një nga emrat më të shquar të traditës muzikore qytetare tiranase, që do të mbahet në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit sot dhe nesër në orën 20:00. Në skenë do të ngjitet trupa e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe disa artistë të mëdhenj të muzikës shqiptare, si: Merita Halili, Kastriot Tusha, Manjola Nallbani, Artan Bakija dhe Elvina Gurra.

3. “KOLË IDROMENO – URË MES PERËNDIMIT DHE LINDJES” NË SHKODËR

Filmi dokumentar nga Vranin Gecaj, “Kolë Idromeno – Urë mes perëndimit dhe lindjes” do të shfaqet nesër në orën 17:00 te Kinema Republika në Shkodër.

4. “BEATS N’ BRUNCH FESTIVAL” NË ZONËN E LIQENIT ARTIFICIAL

Ritme, ushqim dhe atmosferë do të sjellë për dy ditë, më 11 e 12 prill festivali  “Beats n’ Brunch” në Parkun e Madh të Liqenit Artificial në Tiranë. Festivali do të mbahet gjatë ditës dhe natës dhe është një mundësi për të festuar përmes muzikës.

5.“RROK ZOJZI: EKSPEDITA ETNOGRAFIKE”, EKSPOZITË TE “MARUBI”

“Rrok Zojzi: Ekspedita Etnografike” është ekspozita e kuruar nga Nebi Bardhoshi, që do të çelet sot në orën 19:00 te Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi”. Ekspozita paraqet për herë të parë një përzgjedhje të fotografive etnografike të Rrok Zojzit (1910–1995), themelues i etnografisë institucionale shqiptare dhe pionier në përdorimin e fotografisë si instrument kërkimor.

6. KONCERT NGA OLEN CESARI DHE MIQTË NË PALLATIN E KONGRESEVE

Pas natës së parë të koncertit të mbajtur në Pallatin e Kongreseve, Olen Cesari do të vijojë me dy koncerte edhe sot dhe nesër në orën 19:30. Bashkë me të do të interpretojnë edhe Orkestra e RTSH-së dhe artistë, si: Dren Abazi, Enrico Giaretta, Lavinia Mancusi, Carlos Paz, Ansambli Folklorik Shqiptar, Roland Çenko etj

7. CIRKU KOMBËTAR ME “NGJYRAT E JETËS” NË TEATRIN E KUKULLAVE

“Ngjyrat e jetës” është shfaqja nga artistët e Cirkut Kombëtar që do të vijë në Teatrin e Kukullave në Tiranë nesër në orën 17:00.

8. “E BUKURA DHE BISHA” RIKTHEHET NË TEATRIN E KUKULLAVE

Shfaqja për fëmijë “E bukura dhe bisha” rikthehet në skenën e Teatrit të Kukullave më 11 e 12 prill në oraret 10:30 dhe 11:30.