Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.
1.“ZA FEST”, TRI NET ME MUZIKË DHE SPEKTAKËL NË SHKODËR
Në Shkodër vjen edhe këtë vit “Za Fest”, festivali që prej një dekade ka shoqëruar netët e verës me muzikë dhe spektakël. Aktiviteti zhvillohet më 23, 24 dhe 25 korrik, duke premtuar tri mbrëmje me artistë dhe performanca në një atmosferë unike pranë kalasë.
2. OPERA “L'ELISIR D'AMORE” E DONIZETIT, SHFAQJE NË VLORË
Në Vlorë, artdashësit dhe turistët vendas e të huaj janë të ftuar të ndjekin operën komike në dy akte “L'Elisir d'Amore” të Gaetano Donizettit, me libret nga Felice Romani. Shfaqja do të vijë nesër në orën 20:00 në Lungomare, te Shkëmbi i Doktorit, me interpretime nga Josif Gjipali, Ardita Meni, Artur Vera, Eugenio Maria Degiacomi dhe Greis Shametaj, nën drejtimin e dirigjentit Thanas Çaçi, me pjesëmarrjen e Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura dhe Korit të Universitetit të Arteve të drejtuar nga Bujar Alliu.
3.STINËT E MUZIKËS, KONCERT ME “3 MUSKETJERËT” NË DURRËS
Në kuadër të aktivitetit "Stinët e Muzikës", sonte në orën 20:00, në sheshin "Veliera", në Bulevardin "Epidamn" të Durrësit, “3 Musketjerët” do të vijnë me një koncert. Mbrëmja pritet të sjellë një atmosferë festive me interpretime muzikore për publikun buzë detit.
4. MAGJIA E BALETIT TË OPERËS TË PARISIT NË EKRANIN E HAPUR
Në kuadër të Javës Kulturore Franceze, nesër në orën 21:00 në KubFrance Tirana te Piramida do të vijë një projeksion në ambient të hapur i tre veprave ikonike të Baletit të Operës Kombëtare të Parisit: “Ëho Cares?” me koreografi të George Balanchine, “Boléro” nga Maurice Béjart dhe “The Seasons’ Canon” nga Crystal Pite.
Komente











