Një sasi prej 104 ton misër blegtoral të importuar nga Serbia dhe të dyshuar me nivel të lartë aflatoksine është në qendër të një hetimi në Shkodër, pasi inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit zbuluan se produkti i bllokuar ishte lëvizur nga magazina.

Misri ishte gjetur gjatë kontrolleve të AKU-së te subjekti “MODI” shpk dhe ishte bllokuar deri në daljen e analizave laboratorike. Dyshimet lidhen me praninë e aflatoksinës B1 mbi normat e lejuara, një toksinë që mund të hyjë në zinxhirin ushqimor përmes ushqimit të kafshëve.

Por kur inspektorët u kthyen për verifikim, konstatuan se shenjat e bllokimit ishin prishur. Nga 104 ton që ishte bllokuar, në magazinë u gjetën vetëm rreth 9.5 ton.

Në kontroll u zbulua edhe një tjetër problem: një silos ku ishte bllokuar një sasi prej 26 tonësh nuk kishte më misër, por ushqim të përpunuar për shpendë.

Analizat laboratorike konfirmuan më pas se misri ishte jashtë standardeve për shkak të nivelit të lartë të aflatoksinës B1.

Përfaqësuesi i subjektit tha se misri ishte përdorur për ushqimin e zogjve në fermën e tij, por nuk paraqiti dokumente që të tregonin se ku kishte përfunduar sasia dhe nuk kishte sistem gjurmueshmërie.

Për këto shkelje, AKU vendosi gjoba, bllokoi dhe urdhëroi asgjësimin e sasisë së mbetur dhe e çoi rastin në prokurori. Kompania Modi dyshohet për prishje të shenjave të sigurisë dhe për vendosje në qarkullim të produkteve që mund të rrezikojnë shëndetin.

Njoftimi i plotë i AKU-së 

"Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka theksuar se do të shkojë deri në fund të ligjit për çdo subjekt që shkel rregullat e sigurisë ushqimore, duke garantuar mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve dhe respektimin e standardeve në zinxhirin ushqimor. Në këtë kuadër, Drejtoria Rajonale e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Qarkun Shkodër ka depozituar kallëzim penal në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Shkodër ndaj subjektit “MODI” shpk, në Shkodër. Sipas AKU-së, gjatë inspektimeve të kryera nga trupa inspektuese janë konstatuar shkelje të rënda të legjislacionit për sigurinë ushqimore. Inspektimet u zhvilluan në kuadër të masave të marra për kontrollin e importeve të misrit për ushqim kafshësh me origjinë nga Serbia, pas rasteve të përsëritura ku analizat laboratorike kishin rezultuar me prani të Aflatoksinës B1 mbi normat e lejuara. Gjatë kontrollit në subjekt u konstatuan sasi të mëdha misri rifuxho të importuar nga Serbia, të cilat u bllokuan nga inspektorët deri në daljen e rezultateve të analizave laboratorike. Megjithatë, gjatë verifikimeve të mëvonshme, trupa inspektuese konstatoi se shenjat e bllokimit ishin prishur dhe sasia e produktit ishte lëvizur nga subjekti, në kundërshtim me vendimin e inspektimit. Sipas verifikimeve, nga 104 ton misër të bllokuar, në ambientet e magazinës u gjetën vetëm rreth 9.5 ton, ndërsa pjesa tjetër rezulton të jetë përdorur apo zhvendosur nga subjekti. Gjithashtu u konstatua se një silos ku ishte bllokuar një tjetër sasi prej 26 tonësh, nuk përmbante më misër, por ushqim të përpunuar për shpendë. Rezultatet e analizave laboratorike treguan se produkti ishte jokonform dhe i pasigurt, për shkak të nivelit të lartë të aflatoksinës B1. Përfaqësuesi i subjektit deklaroi se produkti ishte përdorur për ushqimin e zogjve në fermën e tij, por ky pretendim nuk u mbështet me dokumentacion dhe nuk u paraqit asnjë sistem gjurmueshmërie për destinacionin e produktit. Për këto shkelje, AKU ka vendosur disa masa administrative me gjoba, si dhe bllokimin dhe asgjësimin e sasisë së mbetur të produktit, ndërsa i është drejtuar organit të prokurorisë për fillimin e procedimit penal ndaj subjektit. Subjekti dyshohet për disa vepra penale të parashikuara në Kodin Penal, përfshirë prishjen e shenjave të sigurisë të vendosura nga organet shtetërore, vendosjen në qarkullim të produkteve që rrezikojnë shëndetin, si dhe mashtrimin me produkte ushqimore, vepra që parashikojnë dënim deri në tre vjet burg. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit thekson se kontrollet do të vijojnë në të gjithë vendin dhe se çdo shkelje e ligjit do të ndëshkohet sipas legjislacionit në fuqi"